Finlanda mbetet skeptike për heqjen e embargos së armëve ndaj Turqisë

3 ditë më parë

nga NACIONALE

Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Kaikkonen, ka refuzuar të komentojë nëse vendi i tij do të ishte i gatshëm të heqë embargon e armëve ndaj Turqisë.

Në një emision televiziv të mëngjesit, Kaikkonen ishte gjithashtu skeptik rreth lajmit të botuar në tabloidin suedez Expressen, se Suedia do të pranonte kërkesat turke për të lejuar shitjen e armëve.

Turqia thotë se vendet duhet të heqin embargon e armëve dhe të ndalojnë 'mbështetjen e terrorizmit' për të zhbllokuar ofertat e kërkesat për anëtarësim në NATO. Finlanda dhe Suedia ndaluan dërgimin e armëve në Turqi në vitin 2019 pasi ajo pushtoi Sirinë.

Ministri theksoi se Finlanda kishte ndjekur një parim për të mos eksportuar armë në zonat e luftës – parim nga i cili u bë përjashtim me rastin e Ukrainës.

Ndër kërkesat e Turqisë, heqja e embargos së armëve do të ishte më e lehta për t'u ekzekutuar, ka thënë Toni Alaranta, një studiues i lartë në Institutin Finlandez të Çështjeve Ndërkombëtare, për kanalin e lajmeve MTV3 të martën (31 maj). Opsionet e tjera janë më të komplikuara, shtoi ai.

Mirëpo ekstradimi i individëve në Turqi u përjashtua kategorikisht nga Jussi Halla-aho, anëtari i Partisë Finlandeze, i cili aktualisht kryeson Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit.

Ajo që mbetet në tryezë janë “çështjet praktike” si embargot e armëve që janë çështje politike, tha Halla-aho për MTV3 pa u pozicionuar nëse duhet lejuar shitja e armëve Turqisë.

Lajme të ngjashme