Dhoma e Përfaqësuesve miraton mbi 40 miliardë dollarë për Ukrainën - NACIONALE

Dhoma e Përfaqësuesve miraton mbi 40 miliardë dollarë për Ukrainën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara e ka miratuar ndarjen e më shumë se 40 miliardë dollarëve shtesë si ndihmë për Ukrainën.

Dhoma e ulët e Kongresit e miratoi projektligjin me 368 vota “për” dhe 57 “kundër” të martën në mbrëmje. Të gjitha votat kundër projektligjit ishin nga anëtarët e Partisë Republikane. Projektligji do të dërgohet në Senat, organ që pritet të veprojë shpejt për miratimin e ndihmave të reja.

Presidenti Joe Biden, dy javë më parë, kërkoi nga Kongresi që ta miratojë ndarjen e 33 miliardë dollarëve për Ukrainën, por ligjvënësit vendosën që ta rrisin shumën për ndihma ushtarake dhe humanitare, shkruan “The Guardian”.

“Ky projektligj do ta mbrojë demokracinë, do ta kufizojë agresionin rus dhe do ta fuqizojë sigurinë tonë kombëtare, ndërsa, më e rëndësishmja, duke e përkrahur Ukrainën”, tha përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Rosa DeLauro.

Disa republikanë e kundërshtuan projektligjin, duke i kritikuar demokratët për veprim shumë të shpejtë për të dërguar shumë para të taksapaguesve amerikanë jashtë vendit. Demokratët e presidentit Biden kanë shumicë të thjeshtë në Kongres, por për miratimin e projektligjit në Senat do të nevojiten edhe votat e republikanëve.

Në pakon e re të ndihmave përfshihen 6 miliardë dollarë për asistencë në fushën e sigurisë, përfshirë trajnimet, pajisjet, armët dhe përkrahjen si dhe 3.9 miliardë dollarë për operacionet e Komandës Evropiane.

Këtu parashihet edhe ndarja e 4 miliardë dollarëve për financim të jashtëm ushtarak për t’u ofruar përkrahje Ukrainës dhe vendeve të tjera që janë prekur nga kriza.

Lajme të ngjashme