Banka Qendrore e Evropës njofton rritje të normave të interesit në muajin korrik - NACIONALE

Banka Qendrore e Evropës njofton rritje të normave të interesit në muajin korrik

1 vit më parë

nga NACIONALE

Banka Qendrore Evropiane ka njoftuar se që nga muaji i ardhshëm do të rrisë normat e interesit, për herë të parë në 11 vjet.

Njoftimi i së enjtës tregon se kjo rritje do të ndiqet edhe nga një rritje tjetër në muajin shtator. Rritja e normave të interesiyt do t’i japë fund një periudhe të gjatë të normave të interesit jashtëzakonisht të ulëta.

E shkak për këtë eshtë, lufta e Rusisë në Ukrainë, e cila ka dërguar valë shokuese në ekonominë globale, veçanërisht pasi çmimet e energjisë janë rritur dhe kanë goditur Evropën, e cila mbështetet në naftën dhe gazin natyror rus.

“Agresioni i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës vazhdon të rëndojë mbi ekonominë në Evropë dhe më gjerë”, u tha gazetarëve presidentja e Bankës, Christine Lagarde. Ajo shtoi se, “lufta po ndërpret tregtinë, po çon në mungesë të materialeve dhe po kontribuon në çmimet e larta të energjisë dhe mallrave".

Këshilli i politikës monetare prej 25 anëtarësh të bankës, i cili u mblodh në Amsterdam, tha se inflacioni ishte bërë një "sfidë e madhe" në 19 vendet që përdorin monedhën euro.

Associated Press raporton se, BQE do të përfundojë programin e saj të stimulit ekonomik dhe do të rrisë normat në korrik, duke lënë të hapur mundësinë e një rritjeje tjetër në muajin shtator. Nga banka u tha se nëse përspektiva e inflacionit vazhdon kështu ose përkeqësohet do të ketë nevojë për një rritje më të madhe.

Lëvizja e BQE-së për të sulmuar inflacionin ka ngritur shqetësime mbi ndikimin e normave më të larta të interesit tek qeveritë me borxhe të mëdha, veçanërisht në Itali. Kjo pasi që, banka nuk njoftoi masa të reja mbështetëse që mund t'i ndihmonin këto vende, duke thënë vetëm se do të përgjigjet me fleksibilitet nëse disa pjesë të eurozonës do përballeshin me kosto të tepërta huamarrjeje.

Lajme të ngjashme