AP: Macroni ka telashe në shtëpi, por mbetet lojtar kyç botëror - NACIONALE

AP: Macroni ka telashe në shtëpi, por mbetet lojtar kyç botëror

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti francez, Emmanuel Macron, mund të jetë dobësuar në Francë, pasi zgjedhjet parlamentare e detyruan që të bëjë manovra politike, por në skenën ndërkombëtare ai i ka burimet për të mbetur njëri nga udhëheqësit botërorë më me ndikim.

Associated Press

Aleatët e jashtëm të Francës i përcollën për së afërmi zgjedhjet e së dielës, në të cilat aleanca e Macronit e fitoi shumicën e ulëseve, por e humbi shumicën në Asamblenë Kombëtare, dhomën më të fuqishme të parlamentit.

Ky rezultat ia ka bërë dukshëm më të vështirë jetën në skenën vendëse centristit 44-vjeçar, duke ia bërë zbatimin e agjendës – si ndryshimet pensionale dhe ulja e taksave – më të vështirë. Megjithatë, zgjedhjet nuk pritet t’ia devijojnë atij agjendën ndërkombëtare në të ardhmen e afërt.

Që nga hyrja e forcave ruse në Ukrainë më 24 shkurt, Macroni ka qenë në epiqendrën e diplomacisë ndërkombëtare dhe, pavarësisht ndryshimit historik të politikës franceze dhe rritjes së polarizimit, ekspertët thonë se kjo nuk pritet të ndryshojë.

“Do të ketë shumë më shumë dallim mes presionit që mund ta ketë në shtëpi në krahasim me pushtetin e tij më të lirë jashtë vendit”, tha Laurie Dundon nga Rrjeti Evropian i Lidershipit.

Macroni, që ndodhet në Bruksel për një samit dyditor të Këshillit Evropian në Bruksel, javën e ardhshme do të shkojë në Gjermani për takimin e Grupit G7, ndërsa pas dy javësh në Spanjë për samitin e NATO-s.

Presidenti francez mban pushtet të konsiderueshëm në politikën e jashtme, çështjet evropiane dhe mbrojtjen. Ai gjithashtu është komandant suprem i forcave të armatosura franceze.

Franca ka ofruar ndihma të konsiderueshme financiare dhe ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus dhe ka dërguar trupa për ta fuqizuar mbrojtjen evropiane në pjesën lindore të kontinentit. Gjatë fushatës presidenciale në pranverë, popullariteti i tij u rrit për shkak të rolit udhëheqës në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës: ai u priu sanksioneve më të ashpra kundër Moskës përderisa mbajti një linjë të hapur me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe ka qenë në kontakt pothuajse të vazhdueshëm me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Politikani që e fitoi mandatin e dytë kundër kandidates së të djathtës ekstreme, Marine Le Pen, në prill, madje udhëtoi për në Kiev në javën mes dy rundeve të zgjedhjeve, bashkë me udhëheqës të tjerë evropianë.

Përkrahja e Francës për Ukrainën është shumë e popullarizuar në Francë, sipas anketave, ndërsa udhëheqësit e opozitës i kanë shmangur në mënyrë të kujdesshme kritikat ndaj saj.

I zgjedhur për herë të parë më 2017, presidenti pro-evropian kurrë nuk e ka fshehur ambicien për rol udhëheqës në diplomacinë globale. Rizgjedhja e tij në prill ia fuqizoi pozicionin si lojtar i lartë në Evropë, kur kontinenti po ballafaqohet me luftën në Ukrainë dhe me pasojat e saj për të e më gjerë.

Pushteti i fuqishëm presidencial në Francë është trashëgimi nga dëshira e Gjeneralit Charles de Gaulle për të pasur sistem të qëndrueshëm politik gjatë Republikës së Pestë, të cilën e kishte themeluar më 1958, pas periudhës së pasluftës nga Lufta e Dytë Botërore, kur vazhdimisht kishte qeveri jetëshkurtra e joefikase.

Presidenti e përfaqëson vendin në skenën ndërkombëtare, takohet me krerë shtetesh e qeverish. Kryeministri, që emërohet nga presidenti, i jep llogari parlamentit./

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme