6-vjeçarja gjendet e vdekur në Gaza disa ditë pas telefonatës për ndihmë, u vra edhe ekipi i emergjencës
Një vajzë 6-vjeçare, e cila ishte zhdukur muajin e kaluar në qytetin Gaza, është gjetur e vdekur, bashkë me disa prej të afërmve të saj dhe dy anëtarëve të një ekipi të emergjencës, që ishin munduar ta shpëtonin.
Vajza e quajtur Hind Rajab ishte duke u larguar nga qyteti me tezen, dajën dhe tre kushërinj, kur vetura e tyre duket se ishte vënë ballë për ballë me tanke izraelite dhe ishte sulmuar me armë zjarri, raporton televizioni BBC.
Incizimet e telefonatave mes vogëlushes dhe operatorëve të linjës urgjente lënë të kuptohet se 6-vjeçarja ishte e vetmja që kishte mbetur gjallë në veturë, duke u fshehur nga forcat izraelite mes trupave të të afërmve.
Thirrjet e saj që dikush ta ndihmonte morën fund, kur lidhja telefonike ishte ndërprerë mes zhurmës së të shtënave.
Ekipet emergjente të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze arritën të shtunën në vendin e ngjarjes, që më parë ishte mbyllur, sepse ishte shpallur zonë aktive e luftimeve.
Punëtorët shëndetësorë e gjetën veturën e zezë të prodhuesit “Kia”, me të cilën po udhëtonin tashmë të vrarët. Xhami i përparmë i veturës ishte bërë copë-copë, ndërsa anash kishte vrima plumbash.
Një punëtor i ekipeve emergjente u tha gazetarëve se vajza e vogël ishte në mesin e gjashtë trupave të gjetur brenda veturës dhe të gjithë kishin shenja të zjarrit të armëve dhe predhave.
Disa metra më larg ishin mbetjet e një automjeti tjetër – tërësisht i djegur. Gjysmëhëna e Kuqe thotë se ajo ishte autoambulanca që ishte dërguar për ta marrë vajzën.
Ekuipazhi i saj – Yusuf al-Zeino dhe Ahmed al-Madhoun – u vranë, kur autoambulanca u bombardua nga forcat izraelite, sipas kësaj organizate.
Në një deklaratë, Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze e akuzoi Izraelin për shënjestrim të qëllimshëm të autoambulancës, porsa automjeti kishte arritur në vendin e ngjarjes më 29 janar.
“Pushtimi [izraelit] qëllimisht e shënjestroi ekipin e Gjysmëhënës së Kuqe pavarësisht nga marrja e bashkërendimit paraprak për ta lejuar autoambulancën që të arrinte në skenë dhe ta shpëtonte fëmijën Hind” – thuhet në deklaratë.
In this video, horrifying scenes show the deliberate targeting by the Israeli occupation of the PRCS ambulance, resulting in the killing of our colleagues Yusuf Al-Zeino and Ahmed Al-Madhoun, who were just meters away from the child Hind. Hind tragically lost her life alone after… pic.twitter.com/PJiI6vtBei
— PRCS (@PalestineRCS) February 10, 2024
Organizata i tha televizionit BBC se ishin nevojitur disa orë për ta bashkërenduar qasjen me ushtrinë izraelite, me qëllim që të dërgohej ekipi i emergjencës te vajza.
“Ne e morëm bashkërendimin, e morëm dritën e gjelbër. Me të arritur, [ekipi] konfirmoi se mund ta shihnin veturën ku ishte ngujuar Hindi dhe mund ta shihnin atë. Gjëja e fundit që dëgjuam ishte zjarri i vazhdueshëm i armëve” – tha zëdhënësja e Gjysmëhënës së Kuqe, Nibal Farsakh.
Incizimet e bisedave të Hindit me operatorët e thirrjeve – të publikuara nga Gjysmëhëna e Kuqe – kishin nxitur një fushatë për të zbuluar se çfarë i kishte ndodhur vogëlushes.
Rregullat e luftës thonë se personeli mjekësor duhet të mbrohet e jo të shënjestrohet në konflikt dhe se personave të lënduar duhet t’u jepet kujdesi mjekësor për të cilin kanë nevojë – në shkallën më të plotë e me sa më pak vonesë që është e mundshme.
Në të kaluarën, Izraeli e ka akuzuar Hamasin për përdorim të autoambulancave për transportimin e armëve dhe luftëtarëve të grupit.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli