24 orë prej nisjes së sulmit: Irani e Izraeli “gjuhen” me raketa gjatë natës
Kanë kaluar mbi 24 orë prej kur Izraeli nisi një sulm të madh dy-frontësh ndaj Iranit, me synim shkatërrimin e objekteve bërthamore të vendit dhe eliminimin e udhëheqjes së lartë ushtarake në Teheran.
Irani, i cili paralajmëroi një "përgjigje shkatërruese", lansoi disa valë sulmesh vdekjeprurëse ndaj vendndodhjeve në të gjithë Izraelin gjatë natës, deri në orët e para të së shtunës, me të dyja palët që raportuan viktima dhe të plagosur të shumtë.
Sirena alarmi u dëgjuan në Izrael deri në mëngjesin e së shtunës, ndërsa shpërthime u raportuan në Tel Aviv, Jerusalem dhe në vetë Teheranin, duke e rritur rrezikun që konflikti të përfshijë të gjithë Lindjen e Mesme në një luftë më të gjerë.
Sulmet gjatë natës: Forcat iraniane lëshuan disa valë raketash drejt Izraelit mes natës të së premtes dhe të shtunës. Garda Revolucionare Islamike e Iranit deklaroi se kishte në shënjestër qendra ushtarake izraelite dhe baza ajrore me raketat e saj. Ndërkohë, sistemet e mbrojtjes ajrore në Teheran u aktivizuan sërish në orët e para të së shtunës pas një vale tjetër sulmesh izraelite, raportuan mediat shtetërore iraniane.
Ndërprerje dhe dëme: Ushtria izraelite pretendoi se kishte ndërprerë një pjesë të raketave iraniane, por gjithashtu raportoi për persona të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara dhe dëme të mëdha në disa banesa. Ekipet e emergjencës ishin duke u përgjigjur në vendngjarje ku kishin rënë raketat. Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në Tel Aviv dhe Jerusalem.
Të vdekur dhe të plagosur: Sulmet hakmarrëse të Iranit kanë shkaktuar të paktën dy viktima në Izrael, sipas autoriteteve izraelite. Një person humbi jetën dhe mbi 20 të tjerë u plagosën pasi një raketë goditi afër banesave në Rishon Lezion, në jug të Tel Avivit. Një grua tjetër u vra kur një fragment armatimi ra në Ramat Gan, po ashtu pranë Tel Avivit. Ambasadori izraelit në SHBA më herët tha se rreth 40 persona ishin plagosur. Në Iran, të paktën 78 persona u vranë si pasojë e sulmeve izraelite, përfshirë zyrtarë të lartë ushtarakë, sipas përfaqësuesit iranian në OKB, Amir Saeid Iravani. Më shumë se 320 persona u plagosën, shumica civilë, shtoi ai.
Baza ajrore të goditura në Iran: Ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur dy baza të forcave ajrore iraniane – të përdorura për operacione me raketa dhe dronë – të premten. Ato përfshijnë bazën ajrore në Hamadan, në perëndim të Iranit, dhe bazën në Tabriz, në veriperëndim të vendit, që përdoret për lëshimin e raketave tokë-tokë.
Paralajmërime për përshkallëzim: Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, tha të premten vonë se Irani kishte “kaluar vijat e kuqe” duke goditur zona të populluara civile dhe premtoi se do të paguajë një “çmim shumë të rëndë.” Irani, nga ana e tij, paralajmëroi se do të intensifikojë sulmet ndaj Izraelit dhe do të shënjestrojë bazat rajonale të çdo vendi që përpiqet ta mbrojë atë. Kryeministri Benjamin Netanyahu paralajmëroi Iranin se “më shumë është duke ardhur.”
Bisedimet bërthamore: Një raund i gjashtë bisedimesh për programin bërthamor mes SHBA-së dhe Iranit ishte planifikuar të fillonte të dielën. Presidenti amerikan Donald Trump i tha agjencisë Reuters se bisedimet janë ende të planifikuara, ndonëse nuk është i sigurt nëse do të realizohen pas përshkallëzimit të fundit. Në një deklaratë për NBC Neës, Trump tha se Irani “mund të ketë edhe një mundësi tjetër” për të arritur një marrëveshje bërthamore dhe nënkuptoi se zyrtarë iranianë kanë nisur të kontaktojnë me të.
Si arritëm deri këtu: Të premten në mëngjes, Izraeli nisi një valë sulmesh të paprecedenta ndaj Iranit, duke goditur objektiva kyç të programit bërthamor të vendit, si dhe zona të banuara në kryeqytetin Teheran. Sulmet shkaktuan vdekjen e disa prej udhëheqësve më të lartë ushtarakë iranianë. Izraeli ka theksuar vazhdimisht se një opsion ushtarak është i nevojshëm për të ndalur programin bërthamor të Iranit. Të premten, ai deklaroi se Teherani po zhvillonte një “program sekret për të ndërtuar një armë bërthamore” dhe se ishte më afër se kurrë për ta përfunduar atë. Irani ka këmbëngulur vazhdimisht se nuk është duke ndërtuar një bombë dhe se programi i tij bërthamor ka qëllime tërësisht energjetike.