Probleme me viza për familjarët e të akuzuarve në Hagë? Ministria e Jashtme e Holandës sqaron gjithçka - NACIONALE

Probleme me viza për familjarët e të akuzuarve në Hagë? Ministria e Jashtme e Holandës sqaron gjithçka

1 vit më parë

nga Besian Beha

Problemet me viza kanë qenë problem që jo rrallë e kanë përmendur, familjarët e të akuzuarve nga Gjykata Speciale. Lehtësimet për viza, janë specifikuar edhe në marrëveshjen që ekziston ndërmjet Kosovës dhe Holandës. Megjithatë, këto lehtësime nuk vlejnë edhe për prindërit e të akuzuarve. Ministria e Jashtme e Holandës në një përgjigje për gazetën Nacionale, ka sqaruar se kush ka lehtësira në pajisjen me vizë.

Ditë më parë u raportuar se shteti i Holandës ka vendosur të kufizojë vizitat e prindërve të të akuzuarve në Hagë. Kjo duke mos bërë lehtësime në procedurat e pajisjes me viza. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Ministria e Jashtme e Holandës në një përgjigje për gazetën Nacionale.

Lehtësime në pajisjen me viza do të përfitojnë bashkëshortet e të akuzuarve në Hagë dhe fëmijët, por jo prindërit dhe personat e tjerë.

“Ne mund t'iu sigurojmë se Holanda ende lehtëson vizitat familjare (d.m.th. për bashkëshortët dhe fëmijët) tek të paraburgosurit në përputhje me detyrimet e saj sipas Marrëveshjes së Shtetit Pritës ndërmjet Mbretërisë së Holandës dhe Republikës së Kosovës në lidhje me Mikpritjen e Institucionit Gjyqësor Special të Kosovës të zhvendosur në Holanda”, thuhet në përgjigje.

Megjithatë, Ministria e Jashtme e Holandës thotë se aplikimet për viza të vizitorëve të tjerë, trajtohen me procedura të rregullta sikur të gjithë qytetarët.

“Të gjithë anëtarët e tjerë të familjes së të paraburgosurit janë gjithashtu të lirë të vizitojnë anëtarët e familjes së tyre të ndaluar, por ata nuk kualifikohen për vizë të lehtësuar nga shteti pritës. Aplikimet e tyre për viza trajtohen përmes kanaleve të rregullta. Kjo politikë zbatohet për të gjitha Gjykatat dhe Tribunalet për të cilat Holanda është shteti pritës”, bëhet e ditur në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme të Holandës, për gazetën Nacionale.

Deri më tani, familjarët e të akuzuarve në Hagë edhe kështu kanë pasur probleme për vizita, sidomos në kohën e pandemisë COVID-19 kur nuk lejoheshin vizitat nëpër burgje.

Edhe Gjykata Speciale ka thënë se lehtësimi në pajisje me viza, do të vazhdojë. Në një përgjigje për Nacionalen, Specialja ka bërë të ditur se lehtësimet për viza janë për disa prej anëtarëve. Pa specifikuar për cilët.

“Dhomat e Specializuara lehtësojnë procesin e vizave për anëtarët e caktuar të familjeve të të paraburgosurve që dëshirojnë të vizitojnë në përputhje me udhëzimet për vizita në Qendrën e Paraburgimit. Lehtësimi i procesit të vizave mbetet në fuqi”, thuhet në përgjigje për Nacionalen.

Çka thonë marrëveshjet?

Ndërmjet Holandës dhe Kosovës ekziston një marrëveshje e arritur pas themelimit të Dhomave të Specializuara, që u vendos të caktohen në Hagë. Në mesin e shumë pikave, aty flitet edhe për çështjen e vizave për familjarët të cilët do të bëjnë vizita në Qendrën e Paraburgimit.

Në pjesën kryesore të marrëveshjes, nuk specifikohet qartë se kujt do t’i lehtësohet procedura e pajisjes me vizë, sikur u tha në përgjigjen e Ministrisë së Holandës për Nacionalen mësipër.

“Shteti pritës do të marrë masat e duhura me anë të të cilave vizat për vizitorët e personave të ndaluar nga Institucioni Gjyqësor do të procedohen menjëherë. Vizat për vizitorët që janë anëtarë të familjes së personit të paraburgosur nga Gjykata Speciale, Institucioni do t’i përpunojë menjëherë dhe do të lëshohen, sipas rasteve, pa pagesë ose për një tarifë të reduktuar”, thuhet në marrëveshjen mes Kosovës dhe Holandës.

“Vizat për vizitorët nga paragrafi 1 i këtij neni, mund t’i nënshtrohen kufzimeve të shtetit. Vizita mund të rfuzohen në rast se: vizitorët nuk mund të paraqesin dokumente që justifikojnë qëllimin dhe kushtet e qëndrimit të synuar, dhe duke demostruar se kanë mjete të mjaftueshme për kthimin në vendin e origjinës”, thuhet në marrëveshje.

Këtu përmendet edhe rreziqet nëse personat që aplikojnë për vizë, pra familjarët e të akuzuarve, janë kërcënim për sigurinë publike, kanë të kaluar kriminale apo arsye të tjera të ngjashme.

Në të kaluarën, ankesa për vizita në Hagë kanë pasur familjarët e disa prej krerëve të UÇK-së, të cilët kanë thënë se ka pasur pengesa në pajisjen me vizë.

Lajme të ngjashme