“O ma bre” – Detaje nga aktakuza ndaj dy policëve: Si e rrahën qytetarin gati në alivanosje, pasi e dënuan në trafik - NACIONALE

“O ma bre” – Detaje nga aktakuza ndaj dy policëve: Si e rrahën qytetarin gati në alivanosje, pasi e dënuan në trafik

1 muaj më parë

nga Besian Beha

Më 15 qershor, i riu me inicialet L.H e parkoi veturën gabimisht, në një zonë të Fushë Kosovës. Por, përveç një gjobe nga Policia e Kosovës për shkelje në trafik, i riu pësoi edhe lëndime të shumta trupore. Krejt kjo si pasojë e sulmit që ia bënë dy zyrtarë të Policisë në stacion. Ndaj dy policëve me inicialet A.A dhe V.M është ngritur aktakuzë, të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale.

Dy policët me inicialet A.A dhe V.M (emra të njohur për gazetën), do të përballen me drejtësinë. Kjo pasi të njëjtit, dyshohen se me datë 15 qershor 2022, në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, e kanë keqtrajtuar të riun me inicialet L.H (emër i njohur për gazetën), pasi paraprakisht e kishin dënuar në trafik.

Ndaj dy policëve me prejardhje nga Ferizaj, Prokuroria ka ngritur aktakuzë si të dyshuar për dy vepra penale: “Keqtrajtim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” dhe “lëndim i lehtë trupor”. Dy policët dyshohet se e kanë detyruar të riun të shkonte në stacion policor pas një kundërvajtje në trafik, kurse më pas e kishin goditur me shuplaka e grushte, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Gazeta Nacionale ka siguruar aktakuzën e plotë të Prokurorisë, ku viktima kishte rrëfyer në detaje se si kishte ndodhur e gjithë ngjarja. Sipas rrëfimit të viktimës me inicialet L.H, policët që nga fillimi kishin pasur sjellje arrogante, kurse gjithçka kishte kulmuar me dhunë fizike brenda në stacion.

“Zyrtari policor ky me kaqarrula filloi të bisedoj në mënyrë arrogante duke më thanë ‘a po donë mu rreh’, dhe njëkohësisht e ka hequr rrypin nga trupi me pajisjet e tij, dhe gjatë heqjes i bie karikatori në tokë. Pastaj është afruar afër meje ka filluar të flas me arrogancë, dhe të më godas në një mënyrë në kokë me shuplakën e tij, ku hera e parë ka qenë e befasishme, kurse herën e dytë kur dashur të më godas ia kam qit dorën. Pas kësaj i thashë mos më prek me dorë, sepse kam ardh vetëm me marrë gjobën. Kurse zyrtari me kaqarruela më ka goditur edhe 2 apo 3 herë me shuplakë dhe kokë, dhe ashtu siç isha jam ngritur në këmbë e jam mbështetur për muri”, thuhet në një pjesë të aktakuzës, që e ka siguruar gazeta Nacionale.

“Pas goditjeve në shpinë, më kanë ngrehur me duar te dytë në teshat e mia për të më rrëzuar, këtë e vërejta pasi ishte fuqia e madhe dhe duart ishin më shumë se dy. Unë u rrëzova në tokë dhe filluan të më godasin me shkelma trupit dhe kokës, ku nga këto goditje kam filluar të bërtas ‘o mani bre, mani’, kurse pastaj kanë ndërhyrë disa zyrtarë të tjerë policorë. Lëndimet në sy i kam pranuar nga goditjet me boks me dorën e djathtë nga zyrtari policor që ishte më i zeshktë, ndërsa lëndimet në trup i kam marrë nga goditjet me shqelma dhe duar nga dy policët”, theksohet më tutje në aktakuzë.

Vetë dy policët e përfshirë në këtë rast, e kanë mohuar gjithë ngjarjen e përshkruar nga viktima. Polici me inicialet V.M ka thënë se i ka kryer detyrat, pasi që i dyshuari nuk i kishte zbatuar urdhrat. Njëjtë, edhe polici tjetër me inicialet A.A.

Deklaron se të gjitha veprimet e tij kanë qenë me qëllim të vënies në kontroll të qytetarit, pasi që sipas tij i njëjti nuk kishte zbatuar urdhrat dhe kishte rezistuar, meqë rast e kishte asistuar kolegun e tij A.A. I padenhuri ka tentuar t’i ikë përgjegjësisë penale për lëndimet e të dëmtuarit. I njëtji deklaron se kishte qenë i sulmuar nga i dëmtuari dhe se për këtë kishte kërkuar edhe ndihmë mjekësore”, kishte thënë V.M para prokurorit.

“I pandehuri A.A deklaron se të gjitha veprimet e tij kanë qenë me qëllim të vënies nën kontroll të qytetarit, në këtë rast të dëmtuarit, pasi që i njëjti kishte rezistuar. I njëjti deklaron se kishte qenë i sulmuar nga i dëmtuari, dhe se për këtë kishte kërkuar ndihmë mjekësore”, kishte bërë të ditur polici A.A.

Prokuroria në anën tjetër ka theksuar se posedon edhe fotografi, audio-incizime të gjithë situatës që kishte ndodhur brenda stacionit policor, e që sipas tyre kanë prova të shumta për këtë rast.

Deklaratat e dëshmitarëve

Rrëfimet e tyre në Prokurori i kanë dhënë edhe dëshmitarët. Në mesin e tyre, familjarë të viktimës, policë kolegë të të dyshuarve, dhe persona tjerë që kanë qenë në vendin e ngjarjes. Dëshmitari me inicialet L.R ka folur për situatën e cila kishte qenë në stacion, kur ishte keqtrajtur viktima.

“Të njëjtit polic që janë sjell keq me L., më kanë larguar mua jashtë pasi kam dashur të futem brenda me forcë. Është ndjerë zhurma jashtë prej L. duke thënë lëshmoni se kurgjo nuk iu bona. Në atë moment e kom thirr babain e L. i kam tregu se jemi te stacioni dhe duhesh me ardh. Kur ka ardhë kemi biseduar me shefin e nëdrrimit dhe na ka mundësuar me pa se në çfarë gjendje është, ai ka qenë në gjendje të mjerueshme ka pas shenja në fytyrë dhe syrin e ajtë”, ka thënë dëshmitari L.R.

Vëllau i viktimës me inicialet L.H, gjithashtu e kishte dhënë një version të ngjarjes.

“Të katër policët na kanë kërcënuar, polici i zeshkët na ka thënë iu ngrehi zhag deri në stacion. Ndërsa sa i përket dt ztrtarëve policorë të cilët kanë ardhur në makinë civile, njëri ndër ta ka qenë më i moshuar dhe iu është afruar vëllaut duke i thënë pse po e lëshon frymën ndaj meje, dhe na ka kërcënuar me fjalët iu rrahu”, ka treguar vëllau i viktimës.

Kurse dëshmitarja tjetër me inicialet A.S, ka treguar se në atë ditë ka qenë police statike në stacion, pra kishte qëndruar në hyrje të stacionit. Ajo ka treguar se çfarë kishte parë e dëgjuar.

“Njëri nga policët i ka thënë qytetarit me arrogancë hajde këtu, e ai u nis prapa. Unë jam ulur ashtu siç shihet në kamerat e stacionit dhe kam qëndruar, për afro diku 5 minuta apo 10. Pas një kohe kam dëgjuar zhurmë ashtu si të përplaseshin me një mjet të fortë në derë apo në xham, dhe pasi kam dëgjuar këto zhurma jam ngritur dhe kam shkuar ted era ku me të hap derën, kam parë që zyrtari policor i zeshktë, e kishte futur kokën e qytetarit nën krahror ashtu duke e shtrënguar dhe iu thashë a jeni tranu apo çka po boni”, ka treguar dëshmitarja.

Bazuar në këto prova, Prokuroria ka kërkuar që dy të akuzuarit që aktualisht janë në arrest shtëpiak, të dënohen sipas ligjeve në fuqi.

Shënim: Të përmendurit në këtë tekst janë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë, dhe janë të pafajshëm deri në vendimin e Gjykatës.

Lajme të ngjashme