Zogaj për Vetingun: Nuk jemi të gatshëm të shkatërrojmë diçka që është ndërtuar me vështirësi - NACIONALE

Zogaj për Vetingun: Nuk jemi të gatshëm të shkatërrojmë diçka që është ndërtuar me vështirësi

2 muaj më parë

nga Besian Beha

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, në një intervistë për gazetën Nacionale, ka deklaruar se nuk ka asnjë shqetësim për Vetingun. Por, sipas tij, asnjë lloj Vetingu nuk mund të bëhet pa përfshirjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ai ka thënë se nuk mund ta lejojnë të shkatërrohet diçka e cila është bërë me shumë vështirësi.

“Nuk mund të kemi asnjë lloj Vetingu, as të brendshëm, pa përfshirjen e KGJK-së dhe pa një analizë se cila është nevoja dhe masa e ndërhyrjes. Sistemi gjyqësor është tepër i ndjeshëm dhe duhen tepër vëmendje se ka duhet të investojmë”, tha Zogaj fillimisht.

“Nuk jemi të gatshëm me shkatërru diçka që është ndërtuar me shumë vështirësi, dhe nuk pranojmë ide që sistemi gjyqësor të shikohet si statistika Vettingu. Këshilli do të jetë këtu gardian i mbrojtjes së pavarësisë së sistemit gjyqësor, rrethanat do të na sjellin në tryezën e përbashkët. Neve na duhet forcimi i mekanizmave të brendshëm, diçka që ka referuar edhe Venecia”, deklaroi kryesuesi i KGJK-së për Nacionalen.

I pyetur nëse gjyqtarët po frikësohen nga kjo reformë, ashtu siç kanë pretenduar disa, Zogaj ka deklaruar se sistemi gjyqësor nuk e ka asnjë shqetësim për Vetingun.

“Absolutisht jo. Shumë institucione kanë pasur mundësinë me pa ekspertizën e gjyqtarëve tanë që marrin pjesë në shumë grupe, absolutisht asnjë lloj shqetësimi nuk ekziston për shumicën e gjyqtarëve”, u shpreh ai.

“Asnjëri prej neve nuk e mohon me qenë pjesë e gjyqësorit, por duhet me pa secili që kjio përgjegjësi është specifike, e veantë dhe e mbrojtur me Kushtetutë, dhe nuk mund të shikohet sistemi gjyqësor me qasje që kur do të na teket e kujt do t’i teket, të kemi vlerësim të përhershëm”, theksoi Albert Zogaj.

Ai ka treguar në cilën formë Këshilli Gjyqësor i Kosovës e sheh Vetingun, si reformë në drejtësi.

“Ne jemi qasur këti porcesi në kuptimin profesional duke ngritur disa pyetje: e para a kemi vlerësim se farë vetingu i duhet Kosovës. Dy, a duhet të ruhet pavarësia e sistemit gjyqësor, edhe në këndëvështrimin kushtetues e ligjor, dhe tre cila duhet të jetë përfshirja e Këshillit Gjyqësor në këtë proces. Nuk mund të ketë asnjë lloj Vetingu pa përfshirjen e KGJK-së dhe pa një analizë se cila është nevoja dhe masa e nërhyrjes”, theksoi Albert Zogaj.

Në fakt, Vetingu ka qenë temë e cila i ka ndarë institucionet e drejtësisë me pushtetin. Kjo ka bërë që në disa raste, eksponentë të ndryshëm të qeverisë, të hedhin kritika karshi gjyqësorit e prokurorisë.

Por kjo, për Albert Zogajn është e papranueshme. Ai tha se të gjitha këto, do ta paraqesin keq Kosovën në Raportin e Progresit.

“Nuk është e zakonshme që institucionet qeveritare të kenë deklarime publike për institucionet e drejtësisë, e vecanërisht deklarime publike për raste specifike, te ne po ndodhë. Megjithatë KGJK që administrojmë me drejtësinë kemi reaguar në të gjitha rastet kur kemi pasur deklarata të institucioneve tjera në raport me gjyqësorin. Deklarimte e tilla e dëmtojnë gjyqësorin dhe imazhin e Kosovës. Në tetor presim raportin e progresit, dhe sigurisht që do të reflektojnë këto deklarime”, deklaroi kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ai foli edhe për rastin e dhunimit të 11-vjeçares, që shkaktoi shumë reagime e protesta.

“Ka qenë rast i ndjeshëm, dhe në këndëvështrimin personal, protesta e qytetarëve dhe organizatave është e drejtë. Të gjithë mund të protestojnë. Ne kemi theksuar edhe për publikun që ky rast nuk ka qenë në Gjykatë më përpara. Tash është paraqit në gjykatë, dhe e konfirmoj se janë marrë të gjitha veprimet sipas kërkesave të Prokurorit të ështjes. Kërkon angazhimin dhe reflektimin e të gjitha institucioneve”, u shpreh Albert Zogaj për gazetën Nacionale.

Zogaj në këtë intervistë gjithashtu ka vlerësuar se Ligji për Paga dhe Ligji për Zyrtarët Publikë janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Lajme të ngjashme