Sulmet me Millosheviqin: Teprimet e Dimal Bashës që u ‘qortuan’ edhe nga Albulena Haxhiu - NACIONALE

Sulmet me Millosheviqin: Teprimet e Dimal Bashës që u ‘qortuan’ edhe nga Albulena Haxhiu

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha ka filluar një “fushatë” jo fort të hijshme kundër sistemit të drejtësisë në vend. Madje, për disa herë me radhë gjyqtarët e prokurorët e Kosovës, i ka krahasuar me regjimin e Sllobodan Millosheviqit, kasapit të Ballkanit.

Sistem i Millosheviqit”, “Prokurorë e gjyqtarë të Millosheviqit”, “Hajna”, “Bërlloga”, “Tuca”, këto janë vetëm disa nga epitetet që deputeti i vetvendosjes i ka përdorur, në drejtim të prokurorëve, gjyqtarëve, e kritikëve te disa prej projektligjeve të propozuara nga partia të cilën e përfaqëson Basha në kuvend.

“Ne mundemi me ba vettingun për hajna, por për t’shitun, tutsa e bërlloga s’di çka ban njeri! Ky vend NUK ka mu ba kurrë pa pasë drejtësi. E për dallim që ka pasë zgjedhje dhe qytetarët kanë arritë me ndryshu Qeverinë, Kuvendin dhe Presidenten, organet e drejtësisë ende mbeten të njëjtat! Pra LLOM!”, kishte shkruar Basha, pas rekomandimeve të Venecias për Vettingun, projektligj ky i propozuar nga vetvendosje.

Këshilli Gjyqësor e ai Prokurorial ishin shfaqur skeptik për funksionimin e vettingut në Kosovë, e sidomos me mënyrën se si Ministria e Drejtësisë e kishte menaxhuar komplet procesin e krijimit të këtij projektligji.

Kjo ishte një arsye tjetër që Basha, ta vazhdojë “fushatën” me gjuhë edhe më të rëndë.

“Për mu ata prokurorë e gjyqtarë që qëllimisht punojnë për interesa të individëve dhe sjellin vendime në dëm të vendit, ama bash hiç nuk dallojnë prej prokurorëve e gjykatësve të Millosheviqit. Bile më keq, se ata i kem njoftë për armiq, a këta veq fshihen nën gzofin e kingjave, dhe për më tepër, paguhen nga taksat e qytetarëve derisa punojnë kundër interesave të tyre”, kishte shkruar deputeti Basha.

Ndonëse nuk njihen për reagime e polemika publike, KPK e KGJK së bashku lëshuan deklaratë, duke e cilësuar të papranueshme gjuhën e përdorur nga deputeti.

“GJK dhe KPK, shprehin pakënaqësi dhe konsiderojnë se deklarata e deputetit Basha është e papranueshme dhe ka për qëllim cenimin e integritetit, pavarësisë dhe dëmtimin e imazhit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në përgjithësi. Një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të jetë shembull i respektimit të organeve zbatuese të ligjit dhe të përmbahet nga deklarimet e tilla që janë në kundërshtim me rendin dhe parimet kushtetuese e ligjore”, thuhej në reagimin e tyre.

Për këtë përplasje Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, në një prononcim për Gazetën Nacionale, ka thënë se i takon partisë në pushtet, t'ia tërheqin vërejtjen deputetit nga radhët e tyre.

Është detyrë e partisë në pushtet që të ndalojë deputetët ose politikanët nga radhët e saj që me prononcime publike të ngrisin akuza dhe ofendime ndaj sistemit gjyqësor dhe prokurorial, pasi një qasje e tillë është e papranueshme dhe e patolerueshme në një shoqëri demokratike që synon sundimin e ligjit”, thekson Miftaraj.

Tërheqje vërejtjesh, apo lojëra fjalësh?

Minstrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka për detyrë krijimin e politikave të drejtësisë në republikën tonë, pas shumë kritikave nga këshillat përkatës, organizatat joqeveritare, e medie, ka siguruar se i ka tërhequr vërejtjen deputetit “problematik”.

“Unë kam pasur komunikim edhe me deputetin Basha pas kësaj deklarate, i kam dhënë qëndrimet e mia se përse deklarata të tilla janë të papranueshme, reagimet e tilla nuk janë të duhura dhe i ftoj deputetët e kuvendit që të mos i bëjnë të tillat”, është shprehur Haxhiu në Klan Kosova.

Mirëpo, pak orë pas kësaj deklarate të bashkëpartiakes së Bashës, e të parës së drejtësisë së Kosovës, deputeti Basha, ka vazhduar deklarimet brutale ndaj sistemit e njerëzve që punojnë në të.

Në shkrimin e tij të fundit deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje e ka bër një hap më tutje. Tash ai ka listuar raste të veçanta e specifike, duke i etiketuar me sistemin e famëkeqit Millosheviq, e duke e arsyetuar secilën pikë, se përse ai mendon se epitetet e lartëcekura qëndrojnë.

“Në Kosovën e pavarun dihet tanimë botnisht që ka prokuror që kanë bashkëpunu me agjentë të AKI-së me orkestru arrestimin e Kryeministrit Kurti, Kryeparlamentarit Konjufca, e disa tjerëve me qëllim të likuidimit politik dhe me tendencë me shpallë subjektin LV si “organizatë terroriste.”, Njejtë ka qenë në sistemin e Millosheviçit, pra kanë montu raste për me dënu shqiptarë e qe besa edhe me na shpall terrorist?!”, shkruan Basha, duke krahasuar montimet e proceseve gjyqësore, që bëheshin në kohën e okupimit, me proceset gjyqësore të administruara nga institucionet demokratike të Republikës së Kosovës.

Tutje Basha lëshohet edhe në raste krejtësisht konkrete e specifike, si ai i Astrit Deharit e Dardan Krivaqës, duke pretenduar se dy sistemet; pra ai i Millosheviqit dhe ky i Kosovës së pavarur janë identike.

I nxitur nga “vërejtjet” e Haxhiut ose për tu dukur ashtu, Basha në fund të shkrimit të tij, në formë pyetje e jep arsyetimin e tij për gjuhën “jo korrekte politikisht” të përdorur.

Pse duhet me kanë politikisht korrekt me njerëz t’prishtë që paguhen me shërby drejtësi qytetarëve, kurse punojnë me i shërby kriminelëve? Pse duhet me i amnistu llomat brenda sistemit të drejtësisë, që e dëmtojnë vendin, qytetarin dhe ia humbin mundin e nderin secilit njeri që ka luftu e vdek që ky vend me pas drejtësi, sepse fundja lufta në Kosovë ka ardh për shkak të padrejtësive të sistemit millosheviçian” shprehet deputeti.

Ende nuk dihet nëse Basha do të ketë ndonjë pasojë konkrete për këto deklarime e për gjuhën e përdorur, apo do të vazhdohet “ping-pongu”, me vërejtje deklarative nga ministrja e sharje të njëpasnjëshme nga deputeti.

Lajme të ngjashme