“Tallje pa kripë”, “Unë ia mbushi”: Deklarata e Kurtit për formularët dhe vizitën në Hagë nxit shumë reagime
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka fajësuar formularët e Gjykatës Speciale si arsye që nuk ka realizuar vizitë në Hagë.
Ai ka thënë se duhet të nënshkruash shumë dokumente që mbajnë logon e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Unë e kam menduar vizitën në Hagë, edhe kam qenë i interesuar të shkoj, por faktori kryesor që më ka ndalur të shkoj është fakti që duhej plotësuar shumë dokumente, formular, ku ti nënshkruan në dokumente të Gjykatës Speciale, unë nuk kam dashur ta bëjë atë gjë." - tha Kurti gjatë një interviste në RTK.
Kjo deklaratë ka nxitur shumë reagime në Kosovë.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaratat e tilla i ka quajtur “shaka pa kripë”.
“Mes shumë “perlave” të shprehura mbrëmë, Kryeministri paska deklaruar se nuk i ka vizituar luftëtarët e UÇK-së në Hagë, sepse, sipas tij, “priton të mbushë formularët”. Zot na ruaj! Ndoshta kjo shpjegon edhe mungesën e vizitave të tij në SHBA – ndoshta edhe për vizë amerikane është po i njëjti problem, “formularët”. Çfarë tallje pa krip, çfarë përbuzje dhe mungese e plotë empatie ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë tonë. Turp”, ka shkruar Çitaku.
Një reagim të ashpër e ka bërë edhe ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Artan Behrami. Ky i fundit është shprehur i gatshëm t’i plotësojë formularët e Kurtit.
“Kryeministri i Shqipërisë po del se është në gjendje të bëjë më shumë se Kryeministri i Kosovës për ta mbrojtur luftën e UÇK-së. Për dallim nga Kurti, Rama nuk ka përtuar t’i plotësojë formularët e vizitës në Hagë. Sikur Rama, nuk kanë përtuar as disa ish-kryeministra, ish-presidentë dhe diplomatë të huaj. Kurti paska përtuar. Madje, ai ka përtuar ta mbush formularin për vizitë edhe te Rexhep Selimi. As kaq nuk ka qenë në gjendje të bëjë për dikë që e mbronte me trupin e tij”, ka shkruar Behrami.
Një reagim e pati edhe Avni Bytyçi, dikur zëdhënës në PDK.
“Ju lutem, tregoni Albin Kurtit se formulari për vizita në Hagë ka katër faqe për t’u plotësuar. Kryesisht, përmban pyetje për të dhënat personale që gjenden në pasaportë, adresën e banimit gjatë qëndrimit në Hagë, si dhe pyetje lidhur me arsyen e vizitës dhe lidhjen me të akuzuarit. Në përgjithësi, formulari kërkon 4-7 minuta për t’u plotësuar. Një ngarkesë bazike edhe për lexuesin më të përkushtuar të Hegelit dhe Kantit!”, ka shkruar Bytyçi.
Formulari kërkon informacione bazë si: të dhënat personale të vizitorit, lidhjet e tij me të paraburgosurit dhe disa çështje formale mbi përputhshmërinë me rregullat e Gjykatës Speciale.
Bashkë me këtë formularë, duhet edhe pasaporta, dhe kaq, nuk ka asnjë kërkesë tjetër.
Kurti edhe më herët ishte kritikuar për faktin që nuk ka realizuar vizitë në Hagë. Nga zyrtarët e lartë të pushtetit, atje qëndruan veç Glauk Konjufca e Albulena Haxhiu.