Rikthehet në vëmendje rasti i Astrit Deharit, familja e avokati akuzojnë rëndë Prokurorinë - NACIONALE

Rikthehet në vëmendje rasti i Astrit Deharit, familja e avokati akuzojnë rëndë Prokurorinë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Edhe gjashtë vjet pas vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit, procesi vazhdon të përcillet me akuza e kritika, por jo edhe me zbardhjen e plotë të rastit. Së fundmi, familja Dehari dhe avokati Tomë Gashi kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë hedhur akuza të rënda për Prokurorinë. Kanë kërkuar edhe përjashtimin e prokurorit të rastit. As prokurori Afrim Shefkiu, e as U.D. Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, nuk janë përgjigjur në interesimin e Nacionales për të marrë një përgjigje për këto akuza.

Gjashtë muaj pasi në Kosovë arriti raporti shtesë nga Instituti Zviceran për vdekjen e Astrit Deharit, familja e këtij të fundit po kërkon përjashtimin e prokurorit të rastit, Afrim Shefkiut.

Në një konferencë për media të mbajtur sot, avokati Tomë Gashi ka thënë se prokurori në fjalë ka dështuar në zbardhjen e këtij rasti. Madje, ka pasur dilema se prokurori Shefkiu nuk ka interesim ta gjejë të vërtetën, raporton gazeta Nacionale.

“Personi përgjegjës është vetë prokurori, dhe nëse ai hesht, bën që të mos jetë real dhe i paanshëm. Kërkesa tjetër që kam dërguar në prill është që prokurori t’i ftojë ekspertët e pavarur dhe të ftojë këdo. Në trupin e Astrit Deharit janë gjetur shenja të goditjes me boks të hekurit. Nuk mundet dikush me ia shkaktu vetes këso plagë. Ky ka thënë se nuk është në gjendje me pa fotografi me gjak. Çfarë prokurori është ai. E vërteta dihet, por që atyre që kanë qenë në pushtet nuk po u konvenon e vërteta”, ka thënë Gashi në konferencën për media.

Avokati e ka akuzuar prokurorin Shefkiu se nuk ka kërkuar hetim, për siç tha, manipulimet me prova që janë dërguar në Zvicër për ekspertizë.

“Prokurori në vend se të kërkojë hetim penal për personat që kanë dërguar këto prova në Zvicër, ai hesht. Kam paraqitur kërkesë për hetim penal, që prokurori të hetojë personat përgjegjës kush ka dërguar provat në Zvicër të manipuluara. Kush është ky person i tretë? Është ideja e shkencëtarëve që personi i tretë ka mundur të zbulohet me gjurmët e thonjve. Dhe Prokurori për ta mbyllur këtë skandal, kërkon të thuhet se thonjtë janë shpenzuar në ekspertizat e kryera në Kosovë”, theksoi më tutje ai.

Gashi ka thënë se ekspertiza e vitit 2019 e ka konfirmuar që Astrit Dehari është vrarë, pasi sipas tij, është konstatuar prezenca e personave të tretë në vendin e ngjarjes.

Kritikat e familjes Dehari

Akuza të rënda për institucionet e drejtësisë kanë pasur edhe prindërit e Astrit Deharit.

Nëna e Astritit, Xhemile Dehari, ka thënë se prokurori Afrim Shefkiu për 4 vjet nuk ua ka ofruar asnjë informacion të vetëm.

“Kemi bërë kërkesën për largimin e prokurorit Afrim Shefkiu. Puna e tij na ka detyruar të bëjmë këtë kërkesë. Që 4 vjet asnjë fjalë nuk e kemi prej tij. Kemi shkuar kemi biseduar, nuk na ka dhënë asnjë sqarim. Po të ishte vra Astriti në shtëpinë tonë, kisha dalë vetë me tregu. Kërkesën e kemi bërë sepse kur erdhi publikimi për raportin shtesë që erdhi nga Zvicra, atë raport shtesë nuk e kemi kërkuar as ne, ka dërguar mjete që nuk janë të vlefshme. Ne nuk e kemi marrë edhe sot e asaj dite raportin shtesë, asnjë fjalë, ai kurgjo nuk vepron”, ka thënë Xhemile Dehari.

Avni Dehari, babai i Astritit, ka vlerësuar se procesi që nga fillimi ka pasur manipulime dhe keqpërdorime.

“Që nga fillimi ky proces është manipuluar dhe është keqpërdorur shumë, për këtë arsye jemi detyruar të kërkojmë ekspertë të jashtëm. Duke parë që çdo gjë po fshihet, po keqpërdoret, e morëm një hap të tillë. Në vend që të merret prokurori Afrim Shefkiu me çështjen, ai është marrë me media”, theksoi Avni Dehari.

Në konferencë u prezantuan fotografi që sipas familjes dhe avokatit, dëshmojnë që Astrit Dehari është goditur me boks të hekurit në kokë.

Çfarë thoshte raporti shtesë nga Zvicra?

Vrasja ose vetëvrasja e Astrit Deharit ka qenë një ndër temat më të ndjeshme në opinionin publik gjatë pesë viteve të fundit.

Në këtë episod të ri u bë zbardhja e ekspertizës shtesë të Institutit zviceran nga ana e Prokurorisë së Kosovës.

Ky institut ishte lavdëruar shumë nga avokati Tomë Gashi, që pretendonte se do të zbardhte të vërtetën e plotë për pretendimin e tij se aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari ishte vrarë e jo vetëvrarë.

Madje, edhe ekspertët zviceranë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Llozanë gjetën se analizat e ADN-së nuk kanë treguar profil tjetër të ADN-së përveç atij të Astrit Deharit.

Siç njoftonte Prokuroria Speciale e Kosovës, raporti i ekspertizës është pranuar në gjuhë frënge dhe më pas është dërguar për përkthim në gjuhë shqipe.

Raporti i ekspertizës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Llozanë të Zvicrës për rastin e Astrit Deharit, konstaton:

“Analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin Astrit Dehari në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të ADN-së, përveç të atij, Astrit Dehari.

Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeinës dhe mosprani të etanolit.

Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit në raport thuhet se nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të riekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar.”

Ndërkaq, bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria Speciale thotë se do të vazhdojë me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

“Prokuroria Speciale siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime profesionale deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Lajme të ngjashme