Rëndësia e dëshmisë së ish-diplomatit amerikan: Një javë e plotë në Hagë, çfarë tha deri më tash? - NACIONALE

Rëndësia e dëshmisë së ish-diplomatit amerikan: Një javë e plotë në Hagë, çfarë tha deri më tash?

2 javë më parë

nga NACIONALE

Ish-shefi i misionit vëzhgues të Amerikës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, Shaun Byrnes, do të vazhdojë dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Ai po merret në pyetje për një javë të plot, duke u vlerësuar sigurisht njëri nga dëshmitarët më të rëndësishëm deri më tani.

Byrnes është dëshmitari i 53-të në rastin e krerëve të UÇK-së.

Gjatë javës së kaluar ai foli për strukturën e UÇK-së, takimet që ka pasur me Thaçin, Krasniqin e Selimin, zinxhirin komandues e detaje të tjera.

Byrnes në një moment ka folur për dallimet që kanë ekzistuar ndërmjet Drenicës dhe Prishtinës.

Ai përmend Blerim Shalën, Veton Surroin e Albin Kurtin. Madje, thotë se njëri prej tyre i kishte thënë se ‘UÇK-ja është grup fshatarësh kundër LDK-së’.

“Kjo përgjigje vjen nga grupi i sofistikuar që ishin të rinj, mirë-edukuar, persona si Blerim Shala, Veton Surroi i Kohës Ditore, persona të kësaj natyre. Albin Kurti poashtë që në atë kohë punonte për Demaçin, e kam fjalën për persona të tillë me këto cilësi. Njëri prej tyre më tha në një pikë, dhe është diçka që nuk do ta harroj kurrë: ata flisnin për ndasitë, dallimet tradicionale ndërmjet Drenicës dhe Prishtinës. Prishtina ishte qendra tregtare dhe institucioni qeveritar, aty gjendej Unviersiteti i Prishtinës, në një kuptim ishte qendra e kulturës së lartë. Ndërkohë që sa i takon Drenicës, ishte zonë e largët në disa kuptime, sipas mendimit të tyre dominohej nga fshatarët. Njëri prej këtyre personave në këtë kontekst tha se ‘UÇK-ja përfaqësonte një njësi apo grup rebelësh fshatarësh kundër LDK-së dhe përfaqësues urbanë qytetarë dhe të sofistikuar të cilët përfaqësoheshin nga presidenti Rugova’”, deklaroi ai.

Ai e tha me zë të lartë se "kurrë nuk kanë pasur prova se dikush nga shtabi i përgjithshëm jepte urdhra për ndalimin apo rrëmbimin e dikujt".

Qysh në nisje të dëshmisë, ai tha se ka ardhur si dëshmitar jo me vet-iniciativë, por pasi i është kërkuar nga Departamenti i Shtetit.

“Dëshiroj të them që jam këtu me kërkesën e Departamentit të Shtetit dhe Prokurorisë së Specializuar. Nuk kam ardhur këtu me nismën time vetjake, megjithatë e pranoj përgjegjësinë që të jap dëshmi duke marrë parasysh pozicionin tim dhe përgjegjësitë e mia në Kosovë në vitet 1998-1999”, tha ai, raporton Nacionale.

Gjatë marrjes në pyetje, Byrnes foli edhe për rolin e Thaçit në kohën e luftës dhe takimet që ka pasur me të.

“Është gjysmë e saktë. Asnjëherë nuk mbaj në mend që Thaçi të jetë marrë në mënyrë të drejtpërdrejt me komandantët në terren. Ne e kemi takuar me pjesëtarë të tjerë të drejtorisë politike, dhe sipas përkufizimit, jo udhëheqës ushtarak”, tha diplomati amerikan.

“Shtabi i Përgjithshëm ka qenë si Ministria e Jashtme e UÇK-së. Kjo ka qenë ndjesia”, deklaroi ai.

“Kishte dy grupe në disaporë: një grup që ishte pro çlirimit, dhe shndërrimit të saj në shtet të pavarur. Kishte një grup tjetër i cili ishte opsioni 1 plus 1, çlirimi nga Serbia dhe ribashkimi me Shqipërinë. Këta nga dispaora u kthyen në Kosovë nga Zvicra, dhe ata ofruan ndërveprimin me komunitetin ndërkombëtar. Sepse ata kuptuan zotëri faktin që pas Daytonit në 1995, Kosova kishte pak gjasa që të bëhej e pavarur.Këta zotëri si Thaçi e Haliti u kthyen”, theksoi ai më tutje.

Ai foli edhe për organizimin e disa zonave, duke thënë se komandantët ishin kundër të futeshin nën urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm.

“Ne e dinim që kishte rezistencë ndaj riorganizimit të zonave të UÇK-së nga 7 në 3. Megjithatë, disa prej komandatave të zonave në veçanti Remi që ishte komandant i Zonës Operative të Llapit dhe z. Ramush Haradinaj nga Zona e Dukagjini, pra komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, ata të dy shprehimisht na kishin thënë që ishin kundër këtij riorganizim dhe ishin kundër që të ishin të varur apo nën varësinë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që u organizua diku nga fundi i verës. Ata kishin këtë qëndrim dhe ishin kundër se kishin fuqinë që të rezistonin. Ata kishin burimet e veta, kishin financimet e veta dhe kishin mjetet e veta për të siguruar armatime”, tha Byrnes.

Dëshmitari deklaroi gjithashtu se UÇK-ja nuk besonte në Ibrahim Rugovën. Kjo duke komentuar rreth një faksimile që e kishte shkruar.

“Autori i kësaj faksimile jam unë, unë e kam shkruar atë. UÇK-ja nuk kishte besim tek presidenti Rugova. Presidentin Rugova ata e shihnin si dikë që ishte i gatshëm të pranonte nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, pra ata e shikonin si një person që ishte i gatshëm të pranonte një marrëveshje që e linte Kosovën si pjesë të Serbisë. Edhe sipas Kushtetutës 74, Kosova ishte gjerësisht e pavarur”, tha dëshmitari Byrnes.

Lajme të ngjashme