Rasti “Veteranët”: Agim Çeku e nëntë të tjerë fajtorë, dënohen me nga një vit burg veç-e-veç
Me nga një vit burg veç-e-veç: dhjetë persona të dënuar për rastin “Veteranët”.
Të dënuar me verdikt të Gjykatës Themelore të Prisbtinës u shpallën ish-Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku dhe nëntë të tjerë të akuzuar me të: Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari..
Dy të tjerë, Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj, u liruan.
Aktgjykimi konstatoi se dhjetë të dënuarit janë fajtor për Keqpërdorim të Detyrës Zyrtare nga Kodi Penal në Nenin 422 dhe kanë konsumuar veprën penale konsekuente.
Siç raportoi “Betimi për Drejtësi”, Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri. Anëtarë të trupit gjykues ishin gjykatësit Kushtrim Shyti dhe Ngadhnjim Arrni.
Mes tjerash, Gjykatësi tha se pas administrimit të provave personale dhe materiale, përtej dyshimit të bazuar mirë është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale.
Kurse, për Lushtakun dhe Elezajn, Gjykata gjeti se nuk janë fajtorë pasi nuk e kanë pasur cilësinë e personit zyrtar.
Bahtiri shtoi se Gjykata nuk ka mundur të identifikojë secilin veç e veç prej 19 mijë e 500 aplikacioneve për statusin e veteranti, andaj vlerëson se duhet të shqyrtohet procedura përkatëse pastaj të merret vendim se a gëzon statusin e veteranit apo jo.
Obligohet Qeveria e Republikës së Kosovës që pëmes komisioneve përkatëse në procedurë administrative të bëjë rishqyrtimin e listës prej 19 mijë e 500 veteranëve si në shtojcën e Prokurorisë Speciale.
Në bazë të aktakuzës së hartuar nga ish-prokurori special Elez Blakaj, thuhet se nga viti 2011 deri më 2017, persona që ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, kanë keqpërdorur pozitën dhe kompetencat e tyre zyrtare.
Ata dyshohet se me vetëdije kanë tejkaluar autorizimet dhe kanë neglizhuar përgjegjësitë, me synimin për të përfituar padrejtësisht individë të caktuar, duke shkaktuar dëme të vazhdueshme në buxhetin e shtetit.