Rasti i parë: Specialja pushon hetimet ndaj Shukri Bujës, dyshohej për Krime Lufte - NACIONALE

Rasti i parë: Specialja pushon hetimet ndaj Shukri Bujës, dyshohej për Krime Lufte

4 javë më parë

nga NACIONALE

Shukri Buja ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Nerodimës gjatë luftës në Kosovë, ka dhënë lajmin se është liruar nga të gjitha akuzat e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.Ky është rasti i parë që Zyra e Prokurorit pushon hetimet e që kanë të bëjnë me Krime Lufte. Më parë hetimet ishin pushuar edhe ndaj një zyrtari të ministrisë atëherë, por që natyra e veprës nuk kishte të bënte me Krime Lufte.

Çka tha Buja?

“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se pas një procesi të gjatë hetimor që zgjati mbi pesë vjet prej 2019, më në fund jam liruar nga të gjitha akuzat e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë!” – njoftoi ai.

Buja gjithashtu tregoi se ky është rasti i parë që mbyllen hetmet ndaj dikujt, e që dyshimet ishin për Krime Lufte, duke shtuar se është një “ogurmirë” edhe për të akuzuarit e tjerë.

“Ky është rasti i parë i mbyllur për veprat penale të krimeve të luftës të hetuara nga kjo Prokurori në menyrë zyrtare. Besoj se ky rast im do të kontribuojë që drejtësia të thotë fjalën e fundit për bashkëluftëtarët tanë që ende gjenden në Hagë dhe shpresoj që edhe ata të kthehen faqebardhë dhe fitimtarë sa më shpejtë.” – ka shkruar ai.

Pushimin e hetimeve ndaj Bujës e ka konfirmuar edhe njëri nga avokatët e tij, Taulant Hodaj.

“Ky është një rast i rëndësishëm për të gjithë ata që janë duke u përballur me akuza të ngjashme” – ka thënë ndër të tjera Hodaj.

Pushimi i hetimeve ndaj Lajçit

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, përmes një njoftimi për media kishin bërë të ditur se më 18 gusht 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka pushuar hetimet kundër Driton Lajçit.

Driton Lajçi, ish-zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, drejtues i Zyrës qeveritare për mbrojtje juridike të të akuzuarve potencialë në Gjykatën Speciale, u bë i dyshuar i Prokurorisë së Specializuar në vitin 2019. Por Hetimet për të pushuan.

Pra, ka edhe raste të tjera kur hetimet kanë pushuar. Por rasti i Shukri Bujës, bëhet i pari për ata që që dyshohen për “Krime Lufte”.

Dita e katërt e Bujës si dëshmitar

Në ditën e katër të dëshmisë së tij, Buja është pyetur për rolin e Kadri Veselit e Jakup Krasniqit. Çfarë tha Buja në gjykimin e katërshës së madhe të UÇK-së?

Buja është dëshmitar i 103-të i Prokurorisë së Specializuar, i cili dje u morn ë pyetje nga mbrojtja e ish-presidentit Thaçi, ndërsa sot është duke u pyetur nga ekipi mbrojtës i Veselit, ish-kryetar i Kuvendit dhe një nga njerëzit e rëndësishëm të UÇK-së.

Gjatë dëshmisë së tij, Buja u pyet për rolin e Veselit. Më saktësisht, Bujës iu shtrua një pyetje, nëse ai dhe Elmi Reçica, ish-komandant në Zonën e Nerodimës i kanë raportuar Veselit, i cili atëbotë ishte në cilësinë e shefit të Zbulimit dhe Kundërzbulimit (ZKZ) të UÇK-së.

Buja ishte i qartë në përgjigjën e tij, duke thënë se Veseli nuk u ka dhënë urdhra.

“Jo s’më ka dhanë urdhër” – tha Buja, i cilu u përgjigj në pyetjet e mbrojtjes së Veselit, që përfaqësohej nga avokati Rodney Dixon.

Tutje, Buja është pyetur edhe për emërimin e Elmi Reçicës në pozitën e komandën e Zonës në Noredimës. Sipas Bujës, Veseli nuk ka pasur mundësi ta emërojë Reçicën në zonën e Nerodimës.

“S’ka pas mundësi Kadri Veseli me emëru sepse unë kam qenë komandant i zonës” – ka thënë Buja, transmeton Betimi për Drejtësi.

Në lidhje me emërimin e Reçicës, Buja tha se ishte vetë ai që e kishte emëruar në pozitën e përfolur gjatë dëshmisë.

“Përafërsisht në dhjetor (është emëruar) emërimi ka qenë nga unë”, tha Buja, i cili shtoi se e kishte thirur në telefon Reçicën, që gjendej jashtë Kosovës, për ta informuar për këtë emërim.

Gjatë pjesës së parë të seancën, Buja është pyetur edhe për Jakup Krasniqin, ish-zëdhënësin e UÇK-së. Në dëshminë e tij, Buja është pyetur edhe për rolin e Krasniqit dhe detyrat e tij operative.

Buja ka vlerësuar se detyrat operative për Krasniqin nuk kanë pasur kuptim, pasi Krasniqi ka qenë zëdhënës i UÇK-së.

“Ka qenë zëdhënës i UÇK-së dhe detyrat operative nuk kanë kuptim”, tha Buja, transmeton Betimi për Drejtësi.

Tutje, Buja ka pasur një vlerësim pozitiv për figurën e Krasniqit, duke e quajtur “personalitet të jashtëzakonshëm”. Tutje, Buja ka vlerësuar se Krasniqi është pritur mirë nga popullata civile.

“Jakup Krasniqin në emërimin si zëdhënës i UÇK-së e kam prit me padurim sepse ka qenë një personalitet i jashtëzakonshëm. Një njeri që ka pasur vizion politik të jashtëzakonshëm dhe ka qenë një njeri që është pritur në mënyrë jashtëzakonisht të mirë nga popullata civile”, tha Buja, duke shtuar se Krasniqin e ka takuar rreth qershorit 1998.

Lajme të ngjashme