Qerkini i befasuar me Prokurorinë e Hagës: Informatat nga Shërbimet Inteligjente, nuk mund të përdoren si prova - NACIONALE

Qerkini i befasuar me Prokurorinë e Hagës: Informatat nga Shërbimet Inteligjente, nuk mund të përdoren si prova

1 vit më parë

nga Besian Beha

Avokati i akredituar nga Dhomat e Specializuara të Hagës, Artan Qerkini, në një intervistë për gazetën Nacionale, ka thënë se është befasuar nga fakti që Prokuroria e Hagës ka përdorur informacione nga Shërbimet Sekrete kundër krerëve të UÇK-së.

Duke folur për dyshimet lidhur me fabrikimin e dëshmive nga agjentë të Shërbimit Sekret të Serbisë që është konfirmuaredhe nga avokatët e Thaçit e Veselit, Qerkini ka thënë se ky fakt e dëmton kredibilitetin e Gjykatës Speciale.

Avokati Qerkini ka theksuar se gjyqtarët duhet të jenë të kujdesshëm para çdo prove të cilën e marrin parasysh. Sipas tij, informatat nga Shërbimet Intelegjente në asnjë mënyrë nuk mund të përdoren gjatë procesit.

Qerkini ka folur edhe për vendimin e Speciales që të mos lejojë dëshminë e 9 diplomatëve në rastin e Thaçit dhe gjithashtu largimin e Kryeprokurorit Jack Smith.

INTERVISTA:

Nacionale: Janë dy avokatë në Gjykatën Speciale, që kanë pretendime për një skandal që po quhet se kanë arritur të gjejnë dëshmitarë që ka fabrikuar dëshmi. Si i keni parë këto zhvillime?

Artan Qerkini: Vërtetë jam befasur kur e kam parë se edhe Shërbimet Intelegjente janë të përfshira në procedurën e të provuarit. Dihet se informtata intelegjente nuk mund të shërbejnë si prova në procedurë penale, ngasae ato nuk merren në procedurën e parashikuar me ligj, dhe kjo është arsyeja pse nuk mund të merren këto prova. Kjo na jep të kujtojmë se gjykatat duhet të jenë të kujdesshme kur të vlerësojnë provat, sepse këto janë indikacione të qarta se provat mund të falsifikohen, dhe ekziston rrezik që gjykata mund të marrë vendim mbi bazën e provave të falsifikuara. Kjo duhet ta rrisë vigjilencën e gjykatës dhe të mendoj mirë gjykata se cilat materiale, cilat shkresa, cilat deklarata do t’i marrë si prova mbi të cilën mund ta marrë një vendim të ligjshëm.

Nacionale: Jack Smith, ish-Kryeprokurori, dëshminë e këtyre personave që dyshohet se janë të ndërlidhur me Shërbim Sekret Serb, e ka përmendur në një takim me diplomatë të BE-së. Sa ndikon në imazhin e Prokurorisë nëse vërtetohet se është dëshmi e rrejshme?

Artan Qerkini: Në imazhin e Prokurorisë vetë fakti që takohen me diplomatë, sepse ata po thonë vazhdimisht që sistemi është i pavarur. Nëse është i pavarur çfarë arsye ka që Jack Smith të takohet me diplomatë. Kjo në instancë fillestare e dëmton kredibilitetin e Prokurorisë. E aq më shumë nëse në ato takime përdoren informacione nga shërbimet intelegjente, që nuk mund të përdoren as si prova në procedurën penale.

Nacionale: A vjen kjo në kuadër të kërkesave të mbrojtjes që të gjitha provat e marra nga Serbia, të nxjerrën për mbrojtjen. A duhet të nxjerrën edhe ato që kanë mbetur, pasi deri më tash nuk janë zbuluar të gjitha nga Prokuroria?

Artan Qerkini: Kjo është një arsye shtesë që na çon drejt konkludimit se është e nevojshme që të gjitha provat e ardhura nga Serbia të zbulohen. Ky është edhe obligim ligjor, sepse mbrojtjes duhet t’i jepet mundësia për t’i kundërshtuar ato prova, nëse nuk i jepet kjo mundësi, atëherë kemi cenim të parimit të barazisë së palëve, dhe cenim të parimit të kontradiktoritetit. Nëse mbrojtjes nuk i jepet mundësia t’i komentojë provat e palës tjetër, bëhet fjalë për cenimin e parimit të kontradiktaritetit, parim ky që mbrohet me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe nuk do mend që të gjitha të ashtuquajtura provat e ardhura nga Serbia duhet t’i zbardhen mbrojtjes, e që mbrojtja të ketë mundësi t’i komentojë të njëjtat.

Nacionale: Si e keni parë faktin që Gjykata Speciale nuk i lejoi 9 diplomatë të japin dëshmi menjëherë, si pasojë e moshës së shtyrë dhe rrezikut që mund të vdesin?

Artan Qerkini: Arsyeja pse mbrojtja ka parashtruar këtë kërkesë ka qenë rreziku potencial se ata dëshmitarë për shkak të moshës së shtyrë, mund të kenë probleme shëndetësore, apo edhe mund të mos jetojnë më. Rasti konkret është i Madeline Albright e cila po të ishte gjallë sigurisht se do të ftohej nga mbrojtja e ish-presidentit Thaçi që të jap dëshmi. Duke parë këtë rrezik potencial, mbrojtja ka parashtruar këtë kërkesë e cila ka qenë e arsyeshme. Edhe me rregullore është parashikuar që nëse në të ardhmen ekziston rreziku që një provë të bëhet e paarritshme për gjykatën, atëherë të mundësohet një mundësi hetimore unike që një dëshmitarë që potencialisht të mos jetë prezentë në shqyrtim gjyqësor, ta jap dëshminë para gjyqtarit të procedurës paraprake. Dhashtë Zoti që të gjithë ata që janë propozuar nga mbrojtja e Thaçit të jenë në shëndet të mirë dhe të mund të dëshmojnë. Por, gjyqtari i procedurës paraprake ka pru një vendim të rrezikshëm, sepse ka marrë mbi vete përgjegjësi të madhe që potencialisht presidenti Thaçi të mos i ofrohet mundësia të prezantojë prova që mund të shkojnë në favorin e tij.

Nacionale: Duke e ditur si ka shkuar procesi deri më tash, çka pret nga gjykimi që thuhet se do të nis në 3 muajt e parë të vitit të ardhshëm?

Artan Qerkini: Pres një gjerësi të rastit, çka nënkuptojmë me gjerësi. Prokuroria po shihet që nuk ka prova kualitetive, dhe po shihet që këtë mungesë ta kompensojë me kuanitet të provave dhe që mund të bëj që procesi të stërzgjatet. Edhe këtu trupi gjykues duhet të ketë kujdes sepse në interes të efikasitetit të procedurës, disa prova t’i eleminojë në mënyrë që procedura të shkojë më shpejt. Sepse edhe ashtu është vonuar shumë, i kemi të pandehurit në paraburgim që 2 vite ende pa filluar procesi gjyqësor. Edhe pse Prokuroria e ka filluar punën në vitin 2017, dhe Prokuroria ende nuk i ka dorëzuar të gjitha provat. Kjo flet për një zvarritje në fazën paraprake, dhashtë zoti që zvarritja të mos ndodhë në fazën e shqyrtimit gjyqësor, sepse atëherë do të kemi shkelje të parimit për gjykim në një kohë të arsyeshme.

Lajme të ngjashme