Prokuroria e Hagës dorëzon aktakuzë të ndryshuar ndaj Isni Kilajt
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka dorëzuar aktakuzë të ndryshuar kundër ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj.
Kilaj ishte arrestuar në nëntor të vitit të kaluar nën dyshimin për pengim të drejtësisë. Në maj, ai u lirua nën kushte të rrepta, por vazhdoi të ngelte si i dyshuar.
Me rastin e lirimit, ishte bërë e ditur se është pezulluar kërkesa e shqyrtimit të aktakuzës ndaj tij, me synimin se do të paraqitet aktakuzë e ndryshuar.
“Në vazhdim të njoftimit të mëparshëm lidhur me çështjen Kilaj në muajin maj, më 18 korrik ZSP-ja ka njoftuar publikisht Gjykatësen e Procedurës Paraprake se ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër Isni Kilajt. Njoftimi, i cili nuk përfshin detaje të mëtejshme, është i disponueshëm këtu”, bëhet e ditur në njoftimin e Speciales.