Profesori Zyberi ia dekonstrukton në tërësi videon “e njëanshme dhe selektive” Zv.Prokurorit të Hagës - NACIONALE

Profesori Zyberi ia dekonstrukton në tërësi videon “e njëanshme dhe selektive” Zv.Prokurorit të Hagës

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Profesori Gentian Zyberi, dikur pjesë e mbrojtjes juridike në rastet Haradinaj dhe Limaj në Hagë, ka dekonstruktuar përpjekjen e Zëvendës-Prokurorit të Specializuar, Ward Ferdinandusse, për të riformëruar narrativën mbi proceset gjyqësore kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përmes një videoje të publikuar në rrjetin profesional “LinkedIn”.

Ferdinandusse shpërndau ditë më oarë një material të realizuar nga SENSE - Qendra për Drejtësi Tranzicionale, që paraqet rrëfime të përzgjedhura mbi hetimet dhe ndjekjet penale ndaj UÇK-së në kuadër të ICTY-së.

“Për ata që janë të interesuar për sfondin dhe sfidat e Dhomave të Specializuara të Kosovës, ju rekomandoj ta shikoni këtë video të shkurtër për hetimet dhe ndjekjet penale të krimeve në Kosovë nga ana e ICTY-së, e realizuar nga SENSE – Drejtësia Tranzicionale.” – shkroi ai, bashkëngjitur linkun e një video-materiali.

Megjithatë, profesori Zyber ka hedhur poshtë një sërë pretendimesh në përmbajtjen e këtij materiali, duke e konsideruar atë si një pasqyrim të njëanshëm, të ndërtuar mbi narrativa të kontestuara dhe shpeshherë të pavërteta.

“Kam qenë pjesë e Ekipeve Mbrojtëse në të dy rastet (Limaj dhe Haradinaj). Videoja e lidhur më poshtë është shumë e njëanshme dhe selektive në atë që thekson.” – e nis replikën Zyberi.

Në reagimin e tij, Zyberi hedh poshtë tri nga tezat kyçe të videos. Mes tjerash, ai e përgënjeshtron pretendimin se autoritetet serbe nuk ndihmuan Tribunalin, duke ofruar shembuj konkretë të bashkëpunimit të ngushtë në rastin Haradinaj, i cili u gjykua dy herë dhe u shpall i pafajshëm në të dy rastet:

“1. Autoritetet serbe nuk ndihmuan shumë Tribunalin e Hagës (ICTY) në hetime. E vërteta është se ata ofruan shumë mbështetje për ICTY-në, veçanërisht në rastin Haradinaj, i vetmi person (nga 161 të akuzuar) që është gjykuar dy herë para ICTY-së dhe është shpallur i pafajshëm të dy herët.

2. Dëshmitarët e brendshëm ndryshuan dëshmitë e tyre. Ky argument paraqitet përmes disa klipeve të zgjedhura me kujdes. Ka një dallim mes informacionit që jepet si mburrje për merita (ka shumë kujtime të shkruara pas luftës, ku njerëz të ndryshëm marrin merita për gjëra të ndryshme dhe për të qenë në krye të kësaj apo asaj) dhe dëshmisë para ICTY-së, e dhënë nën betim dhe e nënshtuar një kundër-pyetësori shumë të ashpër. Shumë nga provat e sjella nga Prokuroria nuk i kanë rezistuar këtij kundër-pyetësori nga mbrojtja. Por, megjithatë, ka pasur dënime nga ICTY në të dy rastet. Kjo madje nuk përmendet fare!

2. UNMIK nuk ka bashkëpunuar. UNMIK mund të fajësohet për shumë gjëra, por jo për mungesë bashkëpunimi me ICTY-në. UNMIK dhe më vonë EULEX (misioni më i madh i BE-së për Sundimin e Ligjit ndonjëherë) mund të fajësohen për moskryerjen e detyrës siç duhet në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës në Kosovë. Dhe me kalimin e kohës, fajësimi i punës së tyre të dobët mbi shoqërinë “fisnore” kosovare (siç kanë bërë del Ponte dhe të tjerë), është një kujtim i gjuhës koloniale! Kjo ishte një justifikim shumë i lehtë për të dyja, UNMIK-un dhe EULEX-in. Po të kishin bërë punën siç duhet, rezultatet ndoshta do të kishin qenë ndryshe.”

Lajme të ngjashme