Plotësimi i aktakuzës, avokati i Thaçit gjen kontradikta në provat e reja të Prokurorisë - NACIONALE

Plotësimi i aktakuzës, avokati i Thaçit gjen kontradikta në provat e reja të Prokurorisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Me 30 faqe të reja është plotësuar aktakuza në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, që po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Hagës. Krime lufte po pretendon Prokuroria, se ish-krerët e UÇK-së kanë kryer në fshatrat Budakovë, Semetisht e konviktin e Gjilanit. Të tri këto vende, janë shtuar në aktakuzë si lokacione ku thuhet se janë kryer krime.

Megjithatë, një plotësim të tillë të aktakuzës po e kundërshton ashpër avokati i Thaçit, Gregory Keohe. Në një mocion që e ka dorëzuar te Gjykata Speciale, Keohe ka thënë se këto plotësime nga prokurori Jack Smith, nuk duhet të aprovohen. Për këtë, ai ka thënë se ka kontradikta të shumta në deklaratat e dëshmitarëve, por edhe gjendjen faktike.

Gazeta Nacionale e ka parë mocionin që Keohe e ka dorëzuar në adresën e gjyqtarit, e ku Keohe thotë se këto shtesa në aktakuzë, në asnjë pikë nuk e implikojnë ish-presidentin Thaçi në veprat penale të krimeve të luftës.

“Dëshmitë e Prokurorisë në mbështetje të krimeve të përshkruara në nene 68 dhe 105 të aktakuzës kundër këtij grupi viktimash, janë në kundërshtim. Kjo pasi dëshmitarët mbi të cilët Prokuroria mbështetet, kundërshtojnë njëri-tjetrin në lidhje me krimet e supozuara. Në mënyrë të veçantë, provat e (REDAKTUAR), se këto krime kanë ndodhur, kundërshtohen drejtpërdrejtë nga provat e (REDAKTUAR)”, thuhet në mocionin e avokatit të Thaçit.

“(REDAKTUAR) thekson se përveç tre personave, dhe dy serbëve nga (REDAKTUAR) ai nuk kishte dëgjuar që ndonjë tjetër ishte arrestuar apo ndaluar në Budakovë ose diku tjetër. Në lidhje me dy serbët, ai tha se ishin sjellur nga (REDAKTUAR) në Budakovë, dhe më pas u liruan. Ai nuk përmendi ndonjë keqtrajtim. Ai mohoi se ( REDAKTUAR) dhe (REDAKTUAR) ishin ndaluar në Budakovë”, thuhet më tutje në këtë parashtrim.

Sipas avokatit të Thaçit, në një pjesë të dëshmisë së një personi, vërtetohet se në Budakovë nuk ka pasur ndonjë qendër të ndalimit, dhe ai personalisht nuk ishte keqtrajtuar.

“Më në përgjethsi, dhe në kundërshtim me dëshminë e (REDAKTUAR) dhe (REDAKTUAR) ai thekson se nuk ka dëgjuar për ndonjë rrahje apo keqtrajtim të burgosurve në Budakovë ose nga ushtarët në atë kohë. Ai e përshkruan atë lokacion si vend të sigurt. Në dritën e këtyre kontradiktave, nuk mund të thuhet se ekziston ndonjë dyshim i bazuar se viktimat janë keqtrajtuar siç po pretendohet. Në të vërtetët, si mundet që provat e Prokurorisë të jenë në kundërshtim me veten. Kjo lëre që mohon se mund të ketë ndodhur ndonjë krim, por tregon se i akuzuari nuk ka marrë pjesë në të”, thekson avokati i Hashim Thaçit.

Keohe ka qenë i rezervuar në disa pika, pasi ka thënë se shkalla e redaktimeve është shumë e madhe, dhe si rezultat nuk mund të jap qëndrime të tjera.

Së pari, (REDAKTUAR) mohon se tre personat e redaktuar kanë qenë të burgosur ose të arrestuar përpara se të transportoheshin për nga Budakova në Semetisht. Së dyti, ai thekson se kur u transferuan, nuk kishte ndodhur asnjë keqtrajtim. Ai thekson se një dokument dore u lëshua, ku thuhej se gjendja e grave që u morën ishte e mirë”, bëhet e ditur më tutje, transmeton Nacionale.

“Çfarëdo që të thonë provat e redaktuara të Prokurorisë, njëri nga dëshmitarët e saj për të njëjtin pretendim, i kundërshton gjetjet e Prokurorisë. Vetë dëshmitarët e kanë përshkruar atë zonë si vend të sigurt”, theksohet tutje.

GJILANI

Në mesin e vendeve që janë shtuar si të dyshuara për kryerjen e krimeve të luftës, ka qenë edhe konvikti në Gjilan. Edhe këtu, avokati i Thaçit thotë se vetë dëshmitarët e Prokurorisë, kanë mohuar se ka pasur ndonjë keqtrajtim.

“Provat e paraqitura mbështeten në një dyshim të mirë bazuar, por që elementet e krimeve nuk janë të vërtetuara, e as që i akuzuari ka marrë pjesë siç pretendohet. Në veçanti provat janë të pamjaftueshme për të krijuar një dyshim se ekziston ndonjë lidhje midis incidenteve në fjalë dhe sulmit kundër popullatës civile. Përkundrazi, provat sygjerojnë se aktet në fjalë janë kryer në ndonjë hakmarrje personale që nuk lidhet me konfliktin e armatosur”, thotë Keohe.

Pas këtij qëndrimi, avokati i Thaçit ka përmendur gjetjet e tij.

Së pari, (REDAKTUAR) shpjegon se bazuar në informacionin që e kishte marrë pas zhdukjes së këtij personi, ajo që ndodhi me (REDAKTUAR) dhe (REDAKTUAR) ishte e gjitha pjesë e hakmarjes personale nga njëfarë personi (REDAKTUAR). Sipas tij, (REDAKTUAR) urrente dy viktimat e supozuara, për arsye personale. Ai kishte arrestuar një herë në cilësinë e tij profesionale në burgun ku punonte. Dëshmitari tregon se nuk ka dëgjuar për ndonjë serb tjetër që ka qenë në shënjestër”.

“Së dyti, ndërsa dy viktimat e vrasjes ishin serbë, provat e (REDAKTUAR) dhe (REDAKTUAR), nuk sygjeron se ata ishin shënjestër për shkak të përatësisë etnike serbe, për shkak të lidhjes me serbët, ose se kishin pikëpamje anti-UÇK. Ata ishin në shënjestër për arsye personale. Së fundi, provat nuk tregojnë për ndonjë dyshim se i akuzuari ka marrë pjesë ose ka kontribuuar, qoftë drejtpërdrejtë qoftë në ndonjë formë tjetër në këtë përgjegjësi”, thotë avokati Keohe.

Si pasojë e gjithë këtyre gjeteve, Gregory Keohe, avokat i Hashim Thaçit ka kërkuar që plotësimi i aktakuzës me këto lokacione të reja, të mos pranohet nga gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Giju.

Lajme të ngjashme