Pavarësisht përfundimit të rastit të Prokurorisë, Gjykata Speciale ua vazhdon paraburgimin Thaçit e Veselit - NACIONALE

Pavarësisht përfundimit të rastit të Prokurorisë, Gjykata Speciale ua vazhdon paraburgimin Thaçit e Veselit

1 javë më parë

nga Besian Beha

Hashim Thaçit e Kadri Veselit u është vazhduar paraburgimi nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Pavarësisht se tashmë dëshmitarët e Prokurorisë kanë përfunduar, e nesër është afati i fundit edhe për dorëzimin e të gjitha provave materiale, Gjykata ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit.

Në dokumentin që e ka parë Nacionale, trupi gjykues e konfirmon se Prokuroria nuk ka dëshmitarë, dhe si rezultat, nuk mund të jetë arsye ndikimi në dëshmitarë.

Megjithatë, gjyqtarët kanë vleësuar se Thaçi e Veseli duke pasur dijeni për dëshmitarët, mund të rrezikojnë të njëjtit duke publikuar të dhëna identifikuese.

Kujtojmë se muajve të fundit, Gjykata Speciale ka rrëzuar pretendimin se Thaçi e Veseli mund të arratisen. Si rezultat, tashmë dy arsye për vazhdimin e paraburgimit kanë pushuar.

“Paneli thekson se, në kundërshtim me parashtresat Prokuroria e Specializuar ka treguar se nuk ka ndërmend të thërrasë ndonjë dëshmitar të mëtejshëm si pjesë e rastit të saj dhe, për rrjedhojë, nuk ka ende dëshmitarë të Prokurorisë për të dëshmuar. Megjithatë, Paneli qëndron në mendimin e tij se, në dritën e procedurave të gjykimit në vazhdim, emrat dhe detajet personale të dëshmitarëve shumë sensitive janë të ditura për mborjtjen, dhe tek një numër njerëzish të afërt me mbrojtjen, përfshirë z.Thaçin. Kjo, nga ana tjetër, rrit rrezikun që informacionet sensitive që kanë të bëjnë me dëshmitarët, të bëhen të njohura për publikun. Një rrezik i tillë jo vetëm që mund të materializohej para se dëshmitarët të dëshmojnë, por edhe pasi ata të dëshmojnë, pasi shumë dëshmitarë kanë masa mbrojtëse dhe identiteti i tyre nuk duhet të bëhet i njohur në asnjë moment për publikun”, thuhet në vendim, raporton Nacionale.

Pra, gjyqtarët kanë vlerësuar se pavarësisht përfundimit të dëshmitarëve të Prokurorisë, emrat e dëshmitarëve edhe pse kanë dëshmuar, nuk duhet të dalin në publik. E si rezultat, Thaçit, por edhe Veselit me arsye të njëjtë, duhet t’u vazhdohet paraburgimi.

Trupi gjykues ka përmendur klimën e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë, dhe ka theksuar se ata kanë masa mbrojtëse. Por, pavarësisht se ata kanë përfunduar dëshmitë e tyre, ende ka arsye që ish-krerët e UÇK-së të mbahen në paraburgim.

“Paneli rikujton gjetjet e tij të mëparshme se duket se z. Thaçi u ka ofruar vizitorëve të paprivilegjuar informacione të nxjerra gjatë dëshmisë së dëshmitarëve të mbrojtur. 4Për më tepër, të dhënat sugjerojnë se ai i ka përcjellë një vizitori të paprivilegjuar udhëzime që kanë të bëjnë me një dëshmitar të ardhshëm të Prokurorisë në lidhje me formën dhe përmbajtjen e dëshmisë së ardhshme të atij dëshmitari”, thuhet më tutje.

Gjyqtarët kanë kritikuar Prokurorinë që po i japin arsyet e njëjta për vazhdimin e paraburgimit, edhe pse disa prej tyre, u rrëzuan në vendimet paraprake.

Paneli thekson se Prokuroria po i jep në thelb të njëjtat argumente siç janë shqyrtuar dhe refuzuar nga Paneli në vendimet e mëparshme, në lidhje me çështjet në vijim: (i) vetëdijen e z. Thaçi për seriozitetin e akuzave të konfirmuara kundër tij; (njohuritë e shtuara të z. Thaçi për rastin dhe provat e paraqitura kundër tij; dhe (iv) Vetëdija e z. Thaçi se ndaj tij janë konfirmuar akuzat për vepra penale kundër administratës së drejtësisë dhe administratës publike dhe vepra penale kundër rendit publik. 25 Në lidhje me këtë, Kolegji rikujton konstatimin e Kolegjit të Gjykatës së Apelit se nga gjyqtari i procedurës paraprake nuk duhet të pritet që të shqyrtojë parashtresat që thjesht përsërisin argumentet që tashmë janë trajtuar në vendimet e mëparshme rishikuese. Paneli konsideron se ky parim zbatohet njëlloj si për Kolegjin ashtu edhe për fazën aktuale të procedurës”, thuhet më tutje,

Shumë juristë e avokatë kanë thënë se me përfundimin e dëshmitarëve të prokurorisë, kanë përfunduar asyet e mbajtjes në paraburgim. Kjo pasi arsyeja kryesore e vazhdimit të paraburgimit, ka qenë ndikimi në dëshmitarë.

Megjithatë, Gjykata Speciale, pavarësisht kësaj, ka vendosur për vazhdimin e paraburgimit.

Lajme të ngjashme