Pas raportit të Forenzikës për Murselin, reagon familja Ademaj: E mirëpresim, drejtësia të mos vonohet
Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar raportin e ekzaminimit psikiatrik ndaj Naim Murselit, të akuzuarit kryesor për vrasjen e Liridona Ademajt. Në dokumentin që e ka siguruar Gazeta Nacionale, thuhet se Murseli nuk vuan nga ndonjë çrregullim mendor.
Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, ka deklaruar se familja e mirëpret raportin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike dhe shpreson që gjykata të vazhdojë me të njëjtin ritëm në trajtimin e rastit.
“Ne si familje e mirëpresim raportin e Forenzikës në lidhje me rastin e vrasjes së Liridonës tonë dhe shpresojmë që gjykata do të vazhdojë të procedojë shpejtë me rastin ashtu siç ka bërë deri më tani.” – ka shkruar Ademaj.
“Ne duam drejtësi të shpejtë. profesionale, pa gabime dhe vendosshmëri nga ana e gjykatës që të mos lejojë që ky rast të zvarritet me vite. Seanca e rradhës mbahet të hënën më 14 korrik në ora 9.00.” – ka thënë ai.