Pas raportimit të Nacionales, Visametric thotë se "sot e mori vendimin e Gjykatës Komerciale" dhe do ta respektojë - NACIONALE

Pas raportimit të Nacionales, Visametric thotë se "sot e mori vendimin e Gjykatës Komerciale" dhe do ta respektojë

11 muaj më parë

nga Anita Nikaj

Disa muaj pasi që gazeta Nacionale, kishte raportuar për problemet të cilat qytetarët e Kosovës kishin hasur më kompaninë private ‘’VisaMetric’’, kompani e cila është kontraktuar nga ambasada gjermane, për mirëmbajtjen e terminëve, Gjykata Komerciale e Kosovës, ka marrë një vendim dhe i cili vetëm sot ka nisur të zbatohet nga kompania në fjalë - siç njoftojnë ata vetë.

Visametric, për muaj të terë ka detyruar qytetarët e Kosovës, pa vullnetin e tyre që të paguaj 30 euro për dorëzimin e pasaportës nga lokacioni i kësaj kompanie tek shtëpitë e qytetarëve.

Madje edhe në rast kur familjarët kanë aplikuar së bashku, kjo kompani i ka detyruar që secili nga ta të paguajë në mënyrë të ndarë edhe pse pasaportat do të dërgoheshin në vendin e njëjtë.

Ky vendim është marrë më datën 15 mars 2023, mirëpo nuk është përfilluar nga kjo kompani, për të vazhduar edhe më vendimin e shkallës së dytë më datën 9 maj 2023.

Sipas këtij vendimi, Gjykata Komerciale, i ndalon Visametric, marrjën e pagesës prej 30 euro për dorëzimin e pasaportës.

Mirëpo, gazetarët e Nacionales, dje kanë bëre një termin tek kjo kompani e cila i ka detyruar në mënyrë automatike që të bëjnë këtë pagesë duke mos i’u mundësuar opsionin e marrjes së pasaportës në lokacionin e kësaj kompanie por vetëm përmes postës.

Edhe pse kanë kaluar një javë nga vendimi i shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, tek sot kjo kompani ka dërguar një email, ku ka njoftuar qytetarët se nga sot nuk do të marrin pagesën prej 30 euro pa dëshirën e tyre.

Krejt kjo ka ardhur, pasi që gazetarët e Nacionales, sot kanë ngritur një kallëzim penal në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj kësaj kompanie.

Siç ka njoftuar kjo kompani, ata vendimin e Gjykatës Komerciale e kanë marrë sot, dhe të cilin do ta respektojnë.

"Duke qenë se Ankesa e Visametric, ndaj Aktvendimit të Dhomës së Shkallës së Parë është refuzuar dhe Aktvendimin e kemi pranuar sot, Visametric do të respektojë Aktvendimin e Gjykatës." - thuhet në njoftimin e pranuar.

Megjithatë, vlen të theksohet se ky respektim vjen pas një serie raportimesh nga Nacionale në lidhje me çështjen në fjalë.

Lajme të ngjashme