"Pa koment": Pse Gjykata Speciale s'po flet asgjë për vjedhjen e laptopit në banesën e gjyqtarit në Paris? - NACIONALE

"Pa koment": Pse Gjykata Speciale s'po flet asgjë për vjedhjen e laptopit në banesën e gjyqtarit në Paris?

1 vit më parë

nga Besian Beha

Një vjedhje u raportua se ka ndodhur këtyre ditëve në Francës. Cak ishte një gjyqtar i Dhomave të Specializuara të Hagës. Emri i tij nuk dihet, megjithatë çka dihet është se atij i është vjedhur vetëm një laptop me të dhëna. Kështu të paktën kanë raportuar dje gjatë ditës media të ndryshme franceze.

Megjithatë, për gjithë këtë situatë, Gjykata Speciale nuk po pranon të komentojë shumë.

“Dhomat e Specializuara nuk i komentojnë raportimet e mediave franceze të cilave ju po iu referoheni”, thuhet në përgjigjën e tyre të shkurtër për Nacionalen.

Pas raportimit për vjedhjen në banesën e këtij gjyqtari të Speciales, ka pasur reagime edhe në Kosovë. Në mesin e tyre ishte kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku.

“Grabitje në Paris: Një gazetë franceze raporton se i është vjedhur laptopi një gjyqtari të Speciales me të dhëna sensitive. P.S. E nëse na vijnë këto të dhëna, çka me ba unë? Edhe fshehtë nuk mbahen!”, ka shkruar Klinaku në facebook.

Reagimi i Klinakut vjen pasi në shtator 2020, në zyret e OVL-UÇK-së kishin arritur me mijëra faqe dosje të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Si pasojë, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim për publikimin e dosjeve.

Raportimi i mediave franceze

Le Journal du Dimanche, një gazetë franceze, ka publikuar sot një shkrim në të cilin ka pretenduar se është bërë një vjedhje në banesën e një gjyqtari të Gjykatës Speciale. Bëhet fjalë për vjedhjen e një laptopi me të dhëna sensitive. Çka bëhet fjalë?

Kjo gazetë shkruhet se vjedhja ka ndodhur në një banesë në Paris ndaj gjyqtarit të Dhomës së Specializuara të Kosovës në Hagë të Holandës.

Një gjë e tillë sipas tyre ka ngritur shqetësime dhe brenga te autoritetet gjyqësore dhe policore në shtetin francez.

“Banorët e një ndërtese e thirrën Policinë pasi vërejtën që dera e fqinjit të tyre ishte hapur me forcë.” – shkruan gazeta.

Kur policia kishte mbërritur në vend-ngjarje, kishte parë se personat misteriozë që ishin futur aty nuk kishin lënë gjurmë. Nuk ishte vjedhur asnjë gjë me vlerë, përveç... një llaptopi.

Gjyqtari pasi ishte njoftuar për këtë rast, pretendohet ta ketë neutralizuar (fshirë) përmbajtjen e llaptopit të tij prej larg.

Ky llaptop pretendohet se përmbante të dhëna “shumë sensitive” që kanë të bëjnë me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Sipas kësaj gazete, edhe një tjetër gjyqtar kishte qenë shënjestër e një vjedhjeje në shtëpinë e tij në Bruksel të Belgjikës. Në këtë rast, hajdutët ishin identifikuar dhe zënë.

Gazeta përmend edhe rrjedhjen e dosjeve nga Gjykata Speciale në vitin 2020, në një rast shumë mediatik në Kosovë. Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, ish-krerët e shoqatës së veteranëve (OVL-UÇK) janë dënuar me burgim për pengim të drejtësisë megjithëse askush nga Gjykata Speciale nuk ka marrë përgjegjësi për rastin.

Afera me dëshmitarët e rrejshëm për dosjet

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ajo e Kadri Veselit, ngritën alarmin për një rrjet dëshmitarësh të rrejshëm. Këtu ndërlidhej pikërisht tema me zbulimin e dosjeve. Një person ishte paraqitur si dëshmitar, dhe kishte thënë se dosjet ua ka dorëzuar personave të afërt me Thaçin e Veselin, më pas ai kishte pranuar se ka gënjyer.

Personi që kishte nxitur këtë dëshmitar të trillonte, të cilin mbrojtja e quan “informator”, sipas shkresës, kishte pasur kontakte të rregullta dhe direkte me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe me Prokurorin e Specializuar.

“Në tetor 2022, një dëshmitar u paraqit për të pretenduar se z. Veseli dhe z. Thaçi ishin përgjegjës për rrjedhjen e dokumenteve që ishin në qendër të rastit Gucati dhe Haradinaj pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet fillimisht në parashtrimin e avokatit Emmerson.

“(Redaktuar) këtë vit, dëshmitari tërhoqi pretendimet e tij dhe pohoi se jo vetëm që kishte gënjyer, por që edhe ishte nxitur të gënjente nga një informator - i cili (i) kishte qenë në kontakt të rregullt me Zyrën e Prokurorit të Specializuar; (ii) duket se ishte pika e tyre e kontaktit për një numër dëshmitarësh në gjykim, dhe (iii) pohon se ka pasur kontakte të rregullta dhe direkte me Prokurorin e Specializuar”, thuhet në shkresën e nënshkruar nga avokatit britanik, Ben Emmerson.

Kjo çështje ishte ngritur edhe në seancën e 4 nëntorit. Avokati i Veselit ka prezantuar se ky person e ka implikuar rrejshëm Thaçin e Veselit nga një person që gjithashtu nuk i dihet identiteti.

Më (redaktuar), (redaktuar) tërhoqi deklaratën e tij të mëparshme, duke rrëfyer se ai ishte ushqyer me informata nga një person i quajtur (redaktuar) i cili bashkëpunon ngushtë si me inteligjencën serbe ashtu edhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në shkresën e avokatit Ben Emmerson.

Madje, në disa transkripte të intervistës së këtij personi, ai konfirmon lidhjet me Beogradin dhe flet për disa takime.

“Transkripti e bën të qartë se (redaktuar) ka një marrëdhënie me Shërbimin Sekret Serb. Në një moment të intervistës, ai informoi Zyrën e Prokurorit të Specializuar rreth planeve të tij për të udhëtuar në Beograd (redaktuar) ku do ta takonte burimin e tij (redaktuar), në mënyrë që të ishte në gjendje të siguronte më shumë përgjigje për Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në parashtrim.

“Më (redaktuar), (redaktuar) ka dhënë intervistën e dytë për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (redaktuar), për të rrëfyer se atij i ishte thënë se çfarë të thoshte (redaktuar) në deklaratën e tij nga një njeri (redaktuar), i cili i ishte prezantuar dëshmitarit si (redaktuar). Intervistuesi kryesor në këtë rast ishte prokurori i lartë (redaktuar)”, thuhet në shkresën e publikuar.

Lajme të ngjashme