‘Në breshërinë e plumbave për ta shpëtuar heroin’ – Dëshmitë e policëve për rënien e rreshterit Afrim Bunjakut
Në mënyrë intensive kanë filluar shqyrtimet gjyqësore në rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, që kishte ndodhur më 24 shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë heroi Afrim Bunjaku. Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë nga trupi gjykues i përbërë nga Arben Hoti si kryetar dhe dy anëtarët, Rrahman Beqiri dhe Ngadhnjim Arni, raporton Gazeta Nacionale.
Gjatë shqyrtimeve të mbajtura deri më tani, para trupit gjykues janë deklaruar disa zyrtarë policorë që ishin të pranishëm gjatë sulmit.
Të akuzuar në këtë proces janë Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq - tre prej 45 personave të grupit të kryekriminelit Millan Radoiçiq, të cilët kishin kryer sulmin terrorist në Banjskë.
Një nga dëshmitarët, zyrtari policor Alban Rashiti, përshkroi me detaje ngjarjen dhe tregoi se me ekipin e tij ishin ndër të parët që arritën në vendngjarje. Në dëshminë e tij, Rashiti foli edhe për momentin e rënies heroike të rreshterit Afrim Bunjaku.
“Kanë qenë gjashtë policë, ndër ta edhe rreshteri Afrim Bunjaku. Mirsadi komunikoi me ta dhe më pas ata vazhduan drejt kamionëve për të parë nga afër se çfarë po ndodhte. Gjendja në fshat ishte pothuajse pa asnjë lëvizje – gjë që nuk është e zakonshme. Në momentin që rreshteri Afrim mbërriti, unë u largova 3-4 metra nga e majta, dhe ndodhi një shpërthim i papritur. E kuptova që isha plagosur në krahun e majtë. Ishte një shpërthim shumë i madh, thuajse në mesin tonë. Nuk e dinim nga vinte, por pashë tym të zi dhe zjarr. E kuptova që isha goditur me armë.” – ka thënë Rashiti.
Më tej, Rashiti vazhdoi të përshkruajë situatën pas shpërthimit.
“Në sekonda filluan të shtënat me armë zjarri. E kuptuam se po qëllohej nga i gjithë fshati, nga dhjetë pozicione të ndryshme dhe me kalibra të ndryshëm. Kur e ktheva kokën, pashë që rreshteri ishte i shtrirë në tokë, i gjakosur, i palëvizshëm. Bashkë me Mirsadin kërkuam nga Çlirimi ta sillte veturën për ta tërhequr rreshterin nga vendi, sepse aty po qëllohej vazhdimisht.”
Dëshmi dha edhe zyrtari policor Çlirim Shaqiri, i cili foli për plagët e marra gjatë sulmit dhe për përpjekjet për të shpëtuar jetën e rreshterit Bunjaku.
“U mbrojta pas motorit të veturës dhe iu kundërpërgjigja sulmit. Dëgjova kolegun Alban që më thirri të sillja veturën, sepse një koleg ishte plagosur rëndë. Arrita pranë tyre përmes breshërisë së plumbave dhe mësova që, përveç rreshterit të ndjerë, ishte plagosur edhe Alban Rashiti. Sulmi vinte nga drejtimi i Manastirit të Banjskës dhe zonat përreth. Mirsadi mori një veturë tjetër dhe tentoi ta tërhiqte trupin e rreshterit, me ndihmën e një kolegu tjetër, por për shkak të zjarrit të armëve, nuk arritën. Mirsadi kërkoi ndihmën time dhe të Albanit.” – ka thënë ai ndër të tjera.
Po ashtu, dëshminë e tij e dha edhe zyrtari Mirsad Kryeziu, i cili ishte i pranishëm gjatë momentit kritik. Ai tregoi se si kishte parë rreshterin Afrim Bunjaku të plagosur rëndë dhe përpjekjet për ta shpëtuar.
“Pashë që nga detonimi njëri nga pjesëtarët tanë, Afrim Bunjaku, ishte i shtrirë në tokë, i mbuluar me gjak, i plagosur në fyt. Kur tentova ta afroja veturën për ta tërhequr, u qëllova me plumba dhe vetura u bë e papërdorshme. Dola nga vetura dhe u ktheva te Afrimi, i cili ishte ende gjallë, duke luftuar për jetë, por sa herë afrohesha, sulmi nuk pushonte.” – ka deklaruar Kryeziu.
Kolegu i ngushtë i rreshterit Bunjaku, Elez Peci, koordinator i sektorëve në Stacionin Policor të Zveçanit, dëshmoi gjithashtu. Ai shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e rreshterit.
“Jam i lënduar shpirtërisht me humbjen e heroit Afrim Bunjaku. Në atë natë nuk kam pësuar lëndime fizike, por emocionalisht jam shumë i prekur dhe e ndiej veten si palë e dëmtuar.”
Ai tregoi se, gjatë rrugës drejt vendngjarjes, e kishte ndier që diçka nuk ishte në rregull, duke vërejtur mungesën e ndriçimit.
“Ndërsa afroheshim, drita e fortë nga rruga na bëri të dyshonim. U thashë kolegëve: ‘Po shkrepetimë’. Më pas ndodhi një shpërthim shumë i fortë dhe pastaj të shtëna me armë. Isha në pozicion kur Mirsadi më tha: ‘E kanë plagos rreshterin.’ Tentova ta ndihmoja, por vetura ime nuk ndizte. Ia thashë ku ishin çelësat e veturës tjetër dhe ai arriti ta sillte atë. Pastaj bashkë me kolegët e tjerë, mes breshërisë së plumbave, arritëm ta fusim rreshterin në veturë, ndonëse edhe goma e saj ishte goditur.” – është shprehur Peci.
Edhe zyrtari policor Avni Shala dëshmoi para trupit gjykues. Ai tregoi se, pas detonimit, kishte pasur të shtëna me armë nga disa drejtime dhe kishte dëgjuar sharje në gjuhën serbe.
“Të shtënat nisën pothuajse njëkohësisht me shpërthimin. Ishin të kalibrave të ndryshëm dhe vinin nga pjesë të ndryshme të fshatit. Pas detonimit dhe breshërisë, dëgjova qartë sharje në gjuhën serbe dhe rafale armësh. Më pas pashë një person të shtrirë, nuk isha i sigurt nëse ishte rreshteri, por vura re që njëra këmbë nuk i lëvizte.” – ka thënë Shala.
Ai shtoi se ky nuk ishte një sulm i zakonshëm.
“Kam 23 vjet përvojë pune. Nuk kam parë diçka të tillë më parë. Kemi pasur sulme, arrestime, por ky ishte ndryshe. Krismat, zollat, dronët — më tregojnë që këta persona ishin të mirëorganizuar dhe të stërvitur. Ky ka qenë një sulm ushtarak. Ne jemi të përgatitur, por jo për këtë nivel.” – ka deklaruar ndër të tjera zyrtari policer që ishte në detyrë në momentin kritik, Avni Shala.