MD tentoi me Polici t’ia marrë lëndët përmbaruesit Mullhaxha, vëllait të deputetes së VV-së
Komisioni ad-hoc i formuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të mërkurën ka tentuar që të zbatoj vendimin për marrjen e lëndëve përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha, tashme të shkarkuar dhe bartjen e tyre tek përmbaruesit tjerë në territorin e Prishtinës.
Për zbatimin e këtij vendimi, komisioni i ministrisë ka shkuar bashkë me Policisë e Kosovës. Por, me gjithë ketë transferimi i lëndëve nuk ka ndodhur, kurse Mulhaxha vendimin e ka quajtur të paligjshëm.
“Këta tash po i shihni edhe forca speciale na kanë ardhë edhe me hetues policor, po insistojnë se kinse na po e pengojmë kryerjen e detyrave zyrtare, ata janë ardhë veç me një qëllim të keq”, ka thënë Mulhaxha.
Mulhaxha ka shtuar se kanë kundërshtuar ligjshmërinë e këtij aktit administrativ pasi sipas tij s’ka mbështetje ligjore duke paralajmëruar padi të re me masë të përkohshme ndaj këtij vendimi.
Eros Gashi nga Ministria e Drejtësisë, ka thënë se përmbaruesi i shkarkuar në vazhdimësi ka gjetur arsyetime për zvarritjen e transferimit të lëndëve dhe se prezenca e Policisë ka qenë e domosdoshme që komisoni të ketë qasje në zyrat e tij dhe të sigurohet prezenca e tij. /Betimi për Drejtësi