Komisioni nuk gjeti shkelje ndaj gjyqtarit për arratisjen e Sekiraqës, kryesuesi i KGjK-së tregon procedurat në vazhdim - NACIONALE

Komisioni nuk gjeti shkelje ndaj gjyqtarit për arratisjen e Sekiraqës, kryesuesi i KGjK-së tregon procedurat në vazhdim

3 javë më parë

nga NACIONALE

Ditë më parë, Betimi për Drejtësi publikoi detaje lidhur me raportin e komisionit ndaj gjyqtarit Agim Kuçi, lidhur me gjetjet për arratisjen e Enver Sekiraqës.

Sipas raportimit të Betimi për Drejtësi, komisioni nuk kishte evidentuar asnjë shkelje.

“… nga përmbajtja e kërkesës, provave të bashkëngjitura së njëjtës dhe provave të administruara si më lartë nuk arriti t’i vërtetoi faktet e paraqitura në kërkesën e datës 20.05.2024 sa i përket shkeljeve të supozuara disiplinore në rastin PKR.nr.170/2020…”, thuhet ndër të tjera në rekomandimin e Panelit hetimor.

Ky Panel, ka sqaruar se gjykatësi Kuçi ka vepruar në konsultim me dy anëtarët tjerë të trupit gjykues, e që në këtë rast ishin gjykatësit Ngadhnjim Arrni dhe Medie Bytyqi, ku thuhet se bashkërisht si trup gjykues kanë vendosur për të gjitha çështjet përfshirë edhe për masën e arrestit shtëpiak.

Këtë rrethanë, sipas rekomandimit të Panelit hetimor e kanë sqaruar vetë anëtarët e trupit gjykues që janë dëgjuar si dëshmitarë në rastin disiplinor ndaj gjykatësit Kuçi.

Megjithatë, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka mbetur i pakënaqur me faktin që raporti ka rrjedhur në publik.

Por sipas Albert Zogajt, cilado palë që ka nxjerrë informacione në publik lidhur me raportin e panelit hetimor, ka kryer shkelje.

“Kushdo që e ka nxjerrë në publik përmbajtjen e raportit të panelit hetimor ka kryer shkelje të konfirmuar. Kjo është një kritikë serioze për trupat e KGJK-së, për panelin hetimor pa përjashtu këtu edhe gjyqtarin i cili ka qenë subjekt hetimi dhe të tjerët që e kanë nxjerrë raportin në publik” tha Zogaj në KallxoPërnime.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës e kishte suspenduar gjyqtarin Agim Kuçi lidhur me rastin e heqjes së masës së arrestit shtëpiak për Enver Sekiraqën. Ndërsa kishte krijuar panelin hetimor për ta gjykuar këtë rast.

“Paneli hetimor nuk konfirmon as përgjegjësi as pafajësi në procesin e hetimit, thjeshtë i sjellë faktet te KGJK”- tha Zogaj.

Zogaj nuk pranoi të jepte detaje se si do të vendoset lidhur me këtë rast.

“Nëse ka prova dhe fakte se një gjyqtar ka votu si anëtar i panelit, si kryetar apo si gjyqtar i vetëm për me marrë një vendim me i ndihmu një personi apo me dëmtu dikon, apo me përfitu për vete ka kry vepër penale” tha Zogaj.

Por, lidhur me këtë rast ishte deklaruar ndryshe kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama. Ajo kishte thënë se gjykatësi Kuçi nuk ishte konsultuar me anëtarët e trupit gjykues kur kishte vendosur për të liruar nga masa e arrestit shtëpiak Sekiraqën.

Më 3 maj 2024 pas shpalljes së aktgjykimit me të cilin Sekiraqa u dënua me 25 vjet burgim lidhur me akuzën për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, gjykatësi Kuçi mori aktvendim që të njëjtit t’ia ndërpres masën e arrestit shtëpiak dhe që i akuzuari të mbrohet në liri.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, më 17 maj 2024 pas ankesës së Prokurorisë Speciale ndaj atij vendimi, ka vendosur që Sekiraqën ta kthejë në paraburgim derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë.

Por, një ditë pas këtij vendimi, Policia ka njoftuar se nuk e ka gjetur Sekiraqën në shtëpi, për ta shoqëruar në paraburgim dhe deri tani i njëjti vazhdon të jetë në arrati.

Kujtojmë se Sekiraqa nuk ishte prezent gjatë shpalljes së aktgjykimit në gjykatore.

Lajme të ngjashme