“E di më mirë shqipen se serbishten” – Dëshmitari 42 fillon gjykimin në Hagë, seanca sërish e mbyllur
Në Dhomat e Specializuara të Hagës ka nisur dëshmia e dëshmitarit me numër 42.
Qysh në hyrje të seancës, dëshmitari fillimisht e bëri betimin. E më pas, prokurorja i kërkoi dëshmitarit të tregojë nëse do të dëshmojë në gjuhën shqipe apo serbe.
“Ju në fillim thatë që do të flisni serbisht, por betimin e bëtë në gjuhën shqipe”, e pyeti prokurorja, raporton Nacionale.
E dëshmitari tha se shqipen e di më mirë se gjuhën serbe.
“E di më mirë shqipen se serbishten, se disa fjalë nuk i kuptoj”, tha dëshmitari.
Pasi seanca nisi dhe do të mbahet pothuajse tërësisht e mbyllur, Prokuroria e lexoi një përmbledhje për dëshmitarin.
“Në qershor 1999 dëshmitari u rrëmbye nga anëtarë të UÇK-së që duket se e njihnin ditentitetin e personit, atë e dërguan në Prizren ku pa edhe anëtarë të tjerë të UÇK-së jashtë. Gjatë ndalimit e morën në pyetje, e kërcënuan dhe e rrahën mizorisht me orë të tëra. Dëshmitari me numër 02082 pa edhetë ndaluar të tjerë që kishin gjak e ishin rrahur. Para se ta lironin i thanë dëshmitarit të mos i tregonte askujt për faktin se ishte i ndaluar. Edhe sot e kësaj dite ka probleme shëndetësore” deklaroi prokurorja.
Në fakt, që nga kthimi prej pushimeve pothuajse të gjitha seancat kanë qenë të mbyllura.
Ka vazhduar gjatë javës që po lëmë pas gjykimi në Dhomat e Specializuara të Hagës. Megjithatë, publiku në Kosovës nuk ka parë e as dëgjuar ndonjë dëshmi nga dy dëshmitarët që u dëgjuan.
Me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarëve, përveç masave mbrojtëse, të gjitha seancat e mbajtura kanë qenë private. Pra, të mbyllura.
Të dy dëshmitarët e kësaj jave kanë qenë shqiptarë: njëri prej tyre ka dëshmuar për raportet mes UÇK-së e FARK-ut, kurse tjetri për zhdukjen e një personi të afërm të tij në Drenoc.
Por, cila është historia e këtyre dy dëshmitarëve?
Dëshmitarët 40 e 41 në Hagë nuk e thanë asnjë fjalë publikisht. Megjithatë, përmbledhjen e historisë së tyre e lexuan prokurorët.
“Dëshmitari 40 ka shërbyer në Zonën e Dukagjinit rreth mesit 1998 dhe jep informacion sa i takon strukturës dhe marrëdhënies mes forcave të UÇK-së dhe Forca të Armatosura të Republikës së Kosovës FARK. FARK-u dhe njësi të caktuara në dhe përreth zonës së Dukagjinit kanë respektuar vetëm autoritetin e Qeverisë së Kosovës që është njohur si qeveria në ekzil”, tha fillimisht prokurori.
Çfarë dëshmoi dëshmitari 40?
“Në takime ndërmjet FARK-ut dhe anëtarëve të UÇK-së rreth fundit të gushtit 1998 dhe fillimit të shtatorit 1998, anëtarë të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së duke përfshirë Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Bislim Zyrapin, kanë vendosur autoritetin e shtabit të UÇK-së mbi Forcat e zonës operative të Dukagjinit. Sipas dëshmitarit, Thaçi ishte nënpunësi, ose ishte personi më i lartë i UÇK-së në këto takime”, tha prokurori më tutje.
“Dëshmitari jep informacion sa i takon strukturës dhe organizimit të njësive të caktuara të UÇK-së dhe FARK-ut në Shqipëri në fund të viteve 1998 dhe 1999. Rreth marsit 1999 dëshmitari ka gjetur një dokument që supozohet që është nxjerrë nga Azem Syla e Jakup Krasniqi në një bazë në Shqipëri. Dokumenti tregon autoritetin e Shtabit dhe mohon autoritetin e qeverisë në ekzil. Dëshmitari jep informacion rreth trajtimit të UÇK-së të personave oponentë, përfshirë këtu edhe anëtarët e FARK-ut, dhe bashkëpunëtorët e pretenduar në zonën e Dukagjinit dhe në zona të ndryshme në Shqipëri”, përfundoi përmbledhja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Në Hagë dëshmoi edhe dëshmitari 41, raporton Nacionale.
Dëshmitari sipas përmbledhjes së lexuar nga Prokuroria, është i afërm i një personi që është vrarë e zhdukur në Drenoc.
“Është i afërm i një viktime që pretendohet se është vrarë e zhdukur nga Drenoci. Dëshmitari përshkruan veprimtaritë e viktimës para se të zhdukej. Herën e fundit që e ka parë, dhe përpjekjet për të zbuluar se çfarë i kishte ndodhur këtij personi. Për shkak të natyrës që kemi dhe masat mbrojtëse”, tha prokurori.
Mbyllja e seancave dhe mungesa e transparencës në proceset gjyqësore në Hagë, është kritikuar në vazhdimësi. Gjykata Speciale këtë e ka arsyetuar me mbrojtjen e dëshmitarëve, kurse ekspertët e juristët kanë vlerësuar se me mbylljen e seancave, mund të ketë mungesë besimi të qytetarëve në vendimin përfundimtar.
Krerët e UÇK-së janë arrestuar e po mbahen në paraburgim që nga muaji nëntor i vitit 2020.