Dhunimi i 11-vjeçares: Gjykata e hodhi aktakuzën ndaj 5 të dyshuarve, Apeli e anuloi - Çka duhet të dihet? - NACIONALE

Dhunimi i 11-vjeçares: Gjykata e hodhi aktakuzën ndaj 5 të dyshuarve, Apeli e anuloi - Çka duhet të dihet?

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Prokuroria e ngriti aktakuzën. Gjykata Themelore e rrëzoi. Ajo e Apelit e anuloi vendimin. Kjo pak a shumë është situata e krijuar në institucionet e drejtësisë, për rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.

Një dhunim kishte tronditur gjithë Kosovën në gjysmën e vitit të kaluar. Një 11-vjeçare u dhunua disa herë me radhë brenda një nate, nga disa persona. Disa të mitur e disa të rritur. Për këtë u arrestuan të gjithë të dyshuarit, e aktakuza u ngrit në muajin dhjetor. Megjithatë,

Gjykata e Apelit, i ka pranuar si të bazuara ankesat e Prokurorisë, duke e kthyer në rishqyrtim vendosjen, për hudhjen e aktakuzës ndaj 5 personave, në rastin e dhunimit të 11 vjeçares.

Sipas Apelit, arsyetimet për hudhjen e aktakuzës nuk ishte e qartë. Si rezultat, aktakuza mbetet në fuqi.

“Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktvendimet e gjykatës së shkallës së parë për hedhjen e aktakuzave, respektivisht propozimit është si rezultat i shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat shkelje kanë kushtëzuar që aktvendimet ankimor të anulohet dhe çështjet të kthehen në rivendosje. Gjykata e Apelit, pas shqyrtimit të shkresave të lëndëve, aktvendimeve ankimore dhe ankesave të Prokurorisë, por edhe sipas detyrës zyrtare, ka gjetur se aktvendimet e ankimuara duhet anuluar dhe kthyer çështjet në rivendosje, për shkak se aktvendimet janë të përfshira në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par. 1 pika 1.12 lidhur me nenin 370 të Kodit të Procedurës Penale sepse gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsyeje të mjaftueshme ligjore kur ka hedh aktakuzat e lartcekura, respektivisht arsyet të cilat janë dhënë nga gjykata e shkallës së parë për hedhjen e aktakuzave janë të paqarta dhe kundërthënëse në vetvete dhe në kundërshtim me bazën ligjore për hedhjen e aktakuzës.” thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar nga Apeli.

Çka ndodhi?

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, e tronditi opinionin publik dje, kur vendosi ta hidhte poshtë aktakuzën e Prokurorisë ndaj pesë personave të dyshuar se morën pjesë në dhunimin e 11-vjeçares, rast që nxiti reagim të madh të shoqërisë.

Sipas gjyqtarit Adnan Isufi, fajin për hedhje të aktakuzës e ka prokuroria. Gjyqtari në arsyetimin e tij ka thënë se gjykata nuk ka kërkuar sqarime se kë e akuzon prokuroria dhe as nuk i ka thënë prokurorisë se ndonjërin nga ta nuk duhet ta ngarkojë për ndonjë vepër penale.

Çka po kërkon Gjykata Themelore?

Gjykata po kërkon nga prokuroria që për secilin nga pesë të akuzuarit veç e veç, ta bëjë përshkrimin e saktë të veprimeve kriminale, si dhe ato t’i përshtatë me dispozita të sakta të Kodit Penal.

“Gjykata nuk ka kërkuar sqarime se kë e akuzon organi i ndjekjes dhe as nuk ka theksuar që organi i ndjekjes nuk duhet të ngarkojë dikë për ndonjë vepër. Ajo që ka kërkuar gjykata është thjesht ndarja e dispozitivëve për veprimet inkriminuese të secilit person të dyshuar veç e veç dhe përshkrimin e saktë të veprimeve individuale inkriminuese që materializohen në dispozita materiale të Kodit Penal”

Si erdhi puna deri këtu?

Gjykata në aktvendimin e saj për hedhje të aktakuzës ka thënë se aktakuza në gjashtë pika nuk është e plotë, duke vazhduar se akuza në ato pika është e paqartë, e ngatërrueshme dhe se përshkrimi faktik nuk përputhet qartazi me kualifikimin juridik.

Tutje, aty thuhet se gjykata edhe më parë ia ka tërhequr vërejtjen prokurorisë që ta “rregullojë” aktakuzën, por që nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Arsyeja pse gjyqtari ka vendosur ta hedhë aktakuzën në këtë fazë, pra në procedurë paraprake, ka të bëjë me atë se, sipas tij, nëse nuk konkretizohen veprimet veç e veç të secilit prej të dyshuare, dhe nëse nuk përcaktohet dispozita e saktë që pretendohet ta ketë shkelur nga Kodi Penal, rreziku për t’u shpallur i pafajshëm ndonjëri nga të akuzuarit do të ishte i madh.

Madje vetë gjyqtari në arsyetim përmend se ka shumë raste, kur për arsye të njëjta dështon gjykimi ose njëherë gjykohet e pastaj rasti kthehet ose prishet nga instancat e tjera.

Sipas gjyqtarit, është më mirë që të bëhet një aktakuzë e re, sa nuk ka filluar shqyrtimi gjyqësor, sesa të vazhdohet me shqyrtim, pa u siguruar, sipas tij, se veprimet e secilit veç e veç janë të harmonizuara me dispozita të sakta të Kodit Penal.

Me këtë rast, gjykata ka konsideruar se duhet të përpilohet një akt akuzues i ri.

Çka tha Prokuroria?

Prokurorja Sheribane Selimi Muçaj, në ankesën e saj drejtuar Gjykatës së Apelit, konsideron se aktakuza është mjaft e qartë dhe, sipas saj, gjyqtari e ka paragjykuar rezultatin ende pa filluar shqyrtimi gjyqësor dhe pa i dhënë mundësi prokurorisë që para gjykatës t’i paraqesë provat e saj.

Pra, sipas prokurores, gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohej se aktakuza qëndron dhe se harmonizimi me dispozita ligjore është i saktë, sepse, sipas saj, provat që i ka prokuroria e që normalisht ende nuk i ka parë gjykata, do ta vërtetonin saktësinë e aktakuzës.

“Në rastin konkret, Aktakuza dhe Propozimi, gjegjësisht diapozitivat janë plotësisht të qartë dhe të kuptueshëm dhe përshkrimi faktik është në përputhje të plotë me kualifikim juridik të veprave penale, gjithnjë duke u mbështetur në provat në të cilat është mbështetur Aktakuza dhe Propozimi”- thuhet ndër të tjera në ankesën e prokurorisë.

Rrjeti i Grave të Kosovës ia lë fajin Prokurorisë

Pas hedhjes poshtë të aktakuzës pati shumë reagime, meqenëse rasti i 11-vjeçares ishte ndër rastet më të përfolura në vitin që e lamë pas.

Nga Rrjeti i Grave të Kosovës janë të bindura se fajin për hedhjen poshtë të kësaj aktakuze e ka prokuroria.

Sipas tyre, mos-hetimi i duhur nga ana e prokurorisë dërgon në dështim të njëpasnjëshëm institucional.

“RrGK reagon ndaj hedhjes poshtë të aktakuzës në rastin e dhunimit të 11 vjeçares; kërkon masa disiplinore ndaj prokurorëve përkatës. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) reagon për neglizhim institucional, mos hetim të rastit dhe dështim në mbledhjen e provave të rastit të dhunimit të 11 vjeçares. Përmes mediave u informuam se gjyqtari ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj pesë (5) personave; dy të dyshuar madhorë dhe tre të mitur për dhunimin e 11-vjeçares në muajin gusht 2022. Sipas gjyqtarit Adnan Isufit, “aktakuza nga prokuroria nuk është e qartë, është e ngatërrueshme dhe përshkrimi faktik nuk përputhet me kualifikimin juridik të veprave penale”.

Mos hetimi i rastit siç duhet dhe aktakuza jo e duhur nga ana e prokurorisë dërgon në dështime të një pas njëshme institucionale nga të cilat dhunuesit janë të lirë dhe ky neglizhim dërgon në raste recidive”- thuhet në reagimin e tyre.

Ky vendim i gjykatës ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik.

Lajme të ngjashme