Dallaveret me vila që i raportoi Nacionale: Prokuroria ngre aktakuzë ndaj Granit Gojanit dhe tre të tjerëve - NACIONALE

Dallaveret me vila që i raportoi Nacionale: Prokuroria ngre aktakuzë ndaj Granit Gojanit dhe tre të tjerëve

2 javë më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Granit Gojanit dhe tre të tjerëve.

Granit Gojani dyshohet për tri vepra penale që përfshijnë mashtrimin, shmangien nga tatami, keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike. Për veprat e njëjta, dyshohet edhe T.G.

Kurse, për pastrim të parave akuzohen N.G dhe M.G.

Për këtë rast, gazetarja Besarta Hoti e Nacionales kishte publikuar një seri me video hulumtuese.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve G.G dhe personit 1T.G, për shkak të veprave penale Mashtrimi nga neni 323 par 4, Shmangia nga tatimi nga neni 307 par 3 dhe Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike nga neni 284 par 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe kundër të pandehurve N.G, M.G për shkak të veprës penale “Pastrimi i parave”, nga neni 56 të Ligjit 05/L -096 për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit”, thuhet në njoftim.

Sipas dyshimeve të Prokurorisë, Gojani kishte marrë gati 2 milionë euro nga qytetarët, për vilat që nuk i ndërtoi kurrë.

“Sipas aktakuzës nga muaji tetor i vitit 2020 e në vazhdimësi deri më datë 16.08.2024 i pandehuri me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore përmes paraqitjes së fakteve të rreme kinse do t’ua ndërtoje villat brenda 60 ditëve, dhe duke shpallë oferta për ndërtim te villave me zbritje, i nxitë 131 te dëmtuar që të veprojnë në dëm të pasurisë se tyre, ashtu që më të njëjtit lidh kontrata për ndërtimin e shtëpive nga druri sipas llojit dhe modeleve në afat ndërtimi prej 60 ditëve, mirëpo asnjërit prej të dëmtuarve nuk ua ndërton villat, ndërsa mjetet e pranuara nga ta i përdor në blerjen e pronave të cilat i regjistron në emrin e tij, biznesit të tij dhe bashkëshortes dhe në ketë mënyrë nga të dëmtuarit arrin të përfitoj kundërligjshëm dobinë pasurore prej 1,894,250.00 euro”, thuhet më tutje.

I dyshuari thuhet se ka marrë qindra mijëra euro nga të dëmtuarit për t’iu rregulluar vila druri, të cilat nuk i ka përfunduar kurrë, e disa prej tyre as nuk i ka nisur, shkruan Gazeta Nacionale.

Rrëfimi i parë i realizuar nga gazetarja Besarta Hoti, ishte me një qytetar nga Vushtrria, i cili për Nacionale ka deklaruar se ka paguar mbi 8 mijë euro tek GG Exclusive, për një vilë që nuk iu ndërtua kurrë.

Pas publikimit të rrëfimit të parë, në Nacionale janë paraqitur edhe disa persona të tjerë që kanë qenë të mashtruar nga Granit Gojani i GG Exclusive.

Personi i dytë që është rrëfyer për Nacionale, ka qenë një mërgimtar, i cili kishte paguar mbi 50 mijë euro për vilën që s’iu kishte ndërtuar kurrë. Gazetarja kishte tentuar të marrë një përgjigje edhe nga kompania për të parë pse nuk iu kanë përmbajtur kontratës:

Ndërkaq, në rrëfimin e tretë, i mashtruar gjithashtu ka qenë një mërgimtar nga Amerika, i cili kishte paguar mbi 13 mijë euro tek kompania GG Exclusive, por që të njëjtit vila nuk iu kishte ndërtuar asnjëherë.

Në kuadër të aksionit, janë konfiskuar edhe prova materiale, lap-topë, telefona, dokumente të biznesit dhe kontrata me qytetarë të shumtë për ndërtimin e vilave.

Prokuroria ka bërë apel tek qytetarët të cilët janë dëmtuar nga këto veprime, të paraqiten në polici dhe prokurori.

Lajme të ngjashme