A ishte Enver Sekiraqa dëshmitar në Hagë? Kryetarja e Speciales thotë se nuk e ka dëgjuar asnjëherë emrin e tij - NACIONALE

A ishte Enver Sekiraqa dëshmitar në Hagë? Kryetarja e Speciales thotë se nuk e ka dëgjuar asnjëherë emrin e tij

2 javë më parë

nga Besian Beha

Një bujë e madhe u krijua në Kosovë para pak ditësh.

Një diskutim lidhur me emrin e Enver Sekiraqës në Gjykatën Speciale të Hagës, shtoi dilemat nëse Sekiraqa ka pasur mundësi të jetë apo jo dëshmitar në rastin e krerëve të UÇK-së.

Kjo pasi Sekiraqa, tash e disa muaj është i arratisur pasi ishte dënuar me 25 vjet burg për shtytje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Në konferencën për media të kryetares së Gjykatës Speciale, Nacionale e pyeti Ekaterina Trëndafilovën për këtë temë. Megjithatë, kjo e fundit tha se është hera e parë që e dëgjon emrin e Enver Sekiraqës, pavarësisht se ky i fundit ishte diskutuar disa herë në seancë publike.

“Për herë të parë e dëgjoj emrin e këtij personi dhe nuk ka asgjë këtu. Kështu që nuk pata kohë të pyes ndonjë nga kolegët e mi më të rinj, ekipin, të gjej diçka më shumë. Por për këtë periudhë, nuk ka asgjë në dosje, sepse unë i marr të gjitha dosjet, dhe nëse nuk kam kohë për të lexuar, gjatë fundjavës do të ndjek gjithçka”, përfundoi Trendafilova.

Megjithatë, emri i Enver Sekiraqës u diskutua në seancë publike kur dëshmitar ishte Nuredin Ibishi.

Madje, fjalët e gjyqtarit zviceran, Genel Metro dhe prokurores së rastit, lanë të hapur mundësinë që Enver Sekiraqa ka dëshmuar në Gjykatën Speciale të Hagës.

Emri i Enver Sekiraqës ishte ndërlidhur me një arrestim të tij në kohën e luftës, nga zona e Llapit. Për këtë kishte folur edhe komandanti Rrustem Mustafa – Remi.

Për këtë rast u pyet në dëshminë e tij edhe Nuredin Ibishi. ‘Leka’ deklaroi se bazuar në informacionet që ka, Sekiraqa është arratisur.

“Aq sa kam informacione para se të vije këtu, ai është arratisur”, tha Ibishi.

Gjatë pyetjeve nga avokatja e Jakup Krasniqit, ajo e ballafaqoi me disa raportime për të kaluarën e dyshimtë të Sekiraqës.

“Sipas një artikulli të Irish News, Sekiraqa konsiderohej figura kryesore e krimit që jetonte në Irlandë dhe ishte në listën e Interpolit. Aty thuhet se ishte dënuar me 26 vjet burg”, pyeti avokatja Shyamala, raporton Nacionale.

Ibishi nuk pranoi të përgjigjet në detaje, duke thënë se ai e di vetëm që Sekiraqa ka qenë i kërkuar. Megjithatë, situata e krijuar në gjykatore, nxiti shumë dilema. Pasi avokatja e Jakup Krasniqit kërkoi që këta artikuj të pranohen si prova në proces. Këtu reagoi gjyqtari Metro.

“Përpara se ta bëjmë këtë gjë, cili është synimi për këtë? A po na thoni që Enver Sekiraqa është një person i keq dhe nuk duhet të besojmë asgjë që ka thënë ai për parandalimin e tij, burgosjen e tij e të gjitha këto gjëra?”, pyeti gjyqtari. Pra, gjyqtari zviceran aludon se Enver Sekiraqa ka dhënë deklaratë për parandalimin e tij në kohën e luftës. Një deklaratë që ka nxitur shumë dilema, por që nuk ishte e vetmja.

Prokurorja e rastit reagoi duke lënë të kuptohet se mbrojtja e ka pasur rastin të diskutojë me dëshmitarin për çështjen e besueshmërisë. Pra, ka aluduar se avokatët e kanë pasur rastin të diskutojnë me Enver Sekiraqën për këtë temë.

“Të nderuar unë kundërshtoj për bazën e kësaj kërkese që bëhet sepse avokati e ka diskutuar me dëshmitarin dhe ka folur për çështjes e besueshmërisë për sa i përket këtij dëshmitari, dhe ai ka folur për këto gjëra. Kështu që nuk e shikojmë pse janë të dobishme për gjykatën këto dokumente”, u përgjigj prokurorja.

Nuk ka pasur asnjë informacion zyrtar se Enver Sekiraqa ka dëshmuar në rastin e krerëve të UÇK-së. Dilemat shtohen se nëse një dëshmitar është i mbrojtur, atëherë për të nuk flitet publikisht siç ndodhi në seancën e sotme.

Enver Sekiraqa prej majit është në arrati, pasi u dënua me 25 vjet burg për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës. Para kësaj, ai ka qenë në paraburgim në Kosovë, dhe ka pasur edhe masa të tjera të cilat do t’ia pamundësonin udhëtimin drejt Hagës.

Megjithatë, krejt kjo situatë mbetet e komplikuar dhe me shumë dilema.

Sekiraqa është përmendur vazhdimisht në gjykimin e krerëve të UÇK-së, për ndalimin e tij në zonën e Llapit.

Derisa kishte folur për të ndalurit, ish-komandanti Remi në Hagë kishte përmendur edhe emrin e Enver Sekiraqës si një prej të ndaluarve në qendrën e ndalimit në Majac.

Mustafa ka thënë se ka pasur persona të ndaluar në zonën e Llapit që kryesisht binin ndesh me rregullat e luftës.

Sipas tij, të ndalurit kishin etni të ndryshme si shqiptar, serb, e kryesisht qytetarë te vendit.

“Enver Sekiraqës i kanë hip mediat në qafë. Ai asnjëherë s’e ka dëmtuar UÇK-në. Ai e ka la dënimin, por sot është mirë dhe merret me probleme të veta”, kishte thënë Remi në një emision në vitin 2019.

Gjykata Themelore e kishte lënë të mbrohet liri Enver Sekiraqën pasi ishte shpallur fajtor dhe dënuar me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Lajme të ngjashme