Vrasësi me pagesë që endej ‘shlirë’ nëpër Kosovë

4 ditë më parë

nga NACIONALE

Nuredin Dumani u arrestua më 29 mars në Fier. 38-vjeçari po kërkohej nga drejtësia shqiptare nën dyshimin se ka kryer disa vrasje kundrejt pagesave. Së bashku me të u arrestuan edhe tre persona, përfshirë edhe të dashurën e tij, M.H., 20-vjeçare, nga Gjilani.

Shtetasja kosovare u arrestua derisa po qëndronte në banesë me Dumanin, dhe po akuzohet nga shteti shqiptar për armëmbajtje pa leje dhe përkrahje të autorit të krimit.

Nuredin Dumani u ka kallëzuar prokurorëve shqiptarë se përderisa për vite e kërkonin ndërkombëtarisht nën dyshimin e kryerjes së disa vrasjeve, kohë pas kohe, ai fshihej në Kosovë.

Gazeta Nacionale ka shfletuar detajet e dosjes së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), të paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Aty përshkruhen dyshimet e prokurorisë rreth aktivitetit kriminal të Dumanit dhe grupit të tij, që dyshohen se kanë kryer disa vrasje me pagesë brenda territorit shqiptar. Disa prej të cilave i ka pranuar edhe Dumani.

dosjen e Prokurorisë së Posaçme, Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në disa raste përmendet Kosova.

Aty tregohen hyrje-daljet e Nuredin Dumanit nga Kosova, pastaj përdorimi që grupi i dyshuar kriminal u bënte targave të vjedhura të veturave nga Kosova dhe të numrave telefonikë nga Kosova në vrasjet e kryera në Shqipëri.

Në dosje përmendet edhe se si Dumani kishte bërë Kosovën strehë disa herë për t’i ikur drejtësisë së Shqipërisë. Brenda dosjes janë edhe dëshmitë e vetë Dumanit, në të cilat përfshin veten në këto krime.

Dumani u ka thënë prokurorëve se në javën e fundit të marsit 2022 ishte futur nga Kosova për në Shqipëri për të vrarë një biznesmen, për të cilin ‘shërbim’ ishte paguar 70 mijë euro.

Natën që u plagos, 29 mars 2022, ai ishte nisur për të vrarë biznesmenin. Rrugës ra në pritë, ku mbeti rëndë i plagosur – prita dyshohet se u bë nga së paku tre vrasës me pagesë.

Kush është Nuredin Dumani?

Nuredin Dumani, 38 vjeç nga Durrësi, për më shumë se një dekadë ishte edhe vetë vrasës me pagesë i përfshirë në së paku 7 vrasje, por që me dëshmitë e tij, numri i rasteve të vrasjeve ku ai është i përfshirë pritet të rritet.

Vetëm pak ditë pas arrestimit, Nuredin Dumani u zbërthye para SPAK-ut. Ai u rrëfeu prokurorëve se me dorën e tij ka vrarë disa persona. Ndërkaq ka qenë i përfshirë në disa vrasje tjera, qoftë si organizator, qoftë si ndërmjetës a ndihmues i vrasësve të tjerë.

‘‘Plumbi i artë’’ është emërtuar hetimi rreth Dumanit nga prokuroria shqiptare.

Dumani qëndronte në krye të një grupi të vogël të vrasësve me pagesë, por që janë të përfshirë në numër të madh të vrasjeve. Për një vrasje ata paguheshin nga 40 mijë euro deri në 500 mijë euro.

Porositës të vrasjeve ishin persona individualë, biznesmenë, por edhe grupe të fuqishme kriminale, kryesisht të përfshira në trafik ndërkombëtar të narkotikëve, dhe që kryenin hesapet me njëri-tjetrin përmes eliminimit.

Dumani punonte për disa grupe kriminale, shpesh edhe grupe rivale mes vete.

Së paku 18 persona janë arrestuar bazuar në dëshminë e Nuredin Dumanit. Persona tjerë janë në kërkim, përfshirë edhe emra të njohur të krimit nga Shqipëria.

Prokurorët po i shohin si çelës dëshmitë e Dumanit për zbërthimin e shumë vrasjeve a krimeve tjera të rënda që kanë ndodhur në Shqipëri në këto dhjetë vitet e fundit. Dëshmitë e tij mund të fundosin disa grupe kriminale shumë të fuqishme nga Shqipëria – me të cilat, sipas tij, ka vite që ka bashkëpunuar.

“Do ju duhet një burg i ri, nëse flas më tej”, u ka thënë prokurorëve Dumani.


Sytë drejt Kosovës: Si e përdornin Kosovën grupi i Nuredin Dumanit?

Gazeta Nacionale ka parë disa faqe të dëshmisë së Dumanit ku, ndër tjera, thuhet se pas disa vrasjeve të kryera kohë më parë në Shqipëri, Dumani kalonte kufirin dhe fshihej në Kosovë.

Nga dëshmitë e vetë Dumanit, thuhet se hera e fundit kur ka qenë në Kosovë është marsi i këtij viti. Kur në fund të marsit, nga Kosova ishte futur në Shqipëri dhe ka përdorur mjet të identifikimit të falsifikuar të Kosovës.

Në fund të marsit 2022, Dumani në Shqipëri është futur përmes pikës kufitare të Morinës, dhe me të ka qenë e dashura e tij nga Gjilani.

Dumani së paku përgjatë marsit 2022 kishte qëndruar në një banesë në Gjilan. Aty ka bashkëjetuar me 20-vjeçaren nga Gjilani, e cila e njihte Nuredin Dumanin me emrin Arvanit Spahiu. Shtetasja nga Kosova ka thënë se ajo s’kishte ide se me çfarë pune merrej Dumani. Ajo është liruar, pasi s’janë paraqitur prova se ajo ishte në dijeni të aktivitetit kriminal të Nuredin Dumanit.

Bashkëpunëtori i Dumanit, Henrik Hoxhaj, i ka thënë prokurorisë shqiptare se me Dumanin janë njohur para 3 apo 4 vjete. Dhe kur ishin takuar për herë të parë, Dumani vinte në Shqipëri pas qëndrimit për disa javë në Kosovë.

Nga kjo dëshmohet se edhe përgjatë viteve 2017-2018, Dumani kishte konak në Kosovë.

Në dosjen e SPAK-ut tregohet po ashtu se përgjatë vitit 2021, derisa Nuredin Dumani po qëndronte në Kosovë, disa persona (Nacionale s’do të publikojë emrat e tyre) kishin ardhur nga Shqipëria për ta porositur vrasjen e një personi (emër i njohur për redaksinë), dhe të cilët i kishin ofruar 500 mijë euro për të kryer vrasjen.

Dumani kishte marrë 100 mijë euro parapagim, por vrasjen në fjalë nuk e kishte kryer. Prokuroria shqiptare përshkruan në dosje se dy persona (emra të njohur për ta) gjatë kësaj kohe ishin larguar nga Shqipëria dhe ishin futur në Kosovë.

Nuredin Dumani ka pranuar, po ashtu, se ka qenë pjesë e vrasjes së një personi, që ishte vëllai i ish-bashkëpunëtorit të tij dhe me të cilin filluan armiqësi. Vrasje ishte bërë në shtator të vitit 2021.

“Lekët m’i ka sjellë Erjoni nëpërmjet një personi në Vorë ku unë kam nxjerrë Enverin dhe Besin të marrin lekët me sa mbaj mend. Erdhën lekët tek unë dhe ua ndava të dyve. Unë nuk mbajta asnjë lek. Të dyve i ranë nga 30.000 euro për kokë. Unë pastaj u largova për në Kosovë. Arjanit i kam shkruar për këtë ngjarje”, thuhet në dëshminë e Dumanit.

Grupi i Dumanit kishin shfrytëzuar Kosovën edhe në vitin 2012. Gjatë vrasjes autorët kishin përdorur një veturë “Mitsubishi” me targa të Kosovës, të cilat ishin vjedhur paraprakisht në Prishtinë nga një bashkëpunëtor i Dumanit. Në këtë vrasje ishin përdorur edhe dy numra telefonikë nga Kosova.

Gazeta Nacionale ka pyetur Policinë e Kosovës se si mund të kalonte kufirin dhe të futej në Kosovë Dumani, përderisa kishte kërkim ndërkombëtar nga policia shqiptare. Policia e Kosovës i është përgjigjur shkurt gazetës.

“Policia e Kosovës ka bashkëpunim ndërkombëtar me policitë e shteteve mike, e sidomos bashkëpunim me Policinë e Shqipërisë”, ka deklaruar policia për Nacionalen.

Policia nuk ka dashur të flasë se cilat pikat kufitare i përshkonte vrasësi me pagesë kur futej në Kosovë, apo se a kishte rrjet të personave që e ndihmonin Dumanin gjatë fshehjes në Kosovë.

Lajme të ngjashme