Jack Smith, Kryeprokurori i parë në Gjykatën Speciale që e merr edhe mandatin e dytë

4 javë më parë

nga NACIONALE

Shefi i EULEX-it në Kosovë, Larg-Gunnar Wigermark, përveç detyrave të tij në misionin e BE-së për sunim të ligjit, së fundmi ka pasur edhe një detyrë tjetër të rëndësishme. Wigermark e ka emëruar edhe për 4 vjet Jack Smithin si Prokuror të Specializuar të Hagës.

Lajmin për gazetën Nacionale e ka konfirmuar Gjykata Speciale, nëpërmjet një përgjigje me shkrim. Por për këtë zhvillim të rëndësishëm, Specialja nuk ka njoftuar në faqen zyrtare të saj.

“Jack Smith është riemëruar si Prokuror i Specializuar në maj 2022, nga Autoriteti i Emërimit për një mandat katërçvjeçar në përputhje me nenin 35 të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale për Nacionalen.

Sipas ligjit, autoriteti emërues në këtë rast për Prokurorin e Specializuar është udhëheqësi i Tas Forcës Hetimore të EULEX-it, që ishte krijuar nga Bashkimi Evropian aso kohe, për t’i hetuar pretendimet e Dick Martyt.

“Autoriteti emërues siç përcaktohet në SHkëmbimin e Letrave dhe Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare, si dhe në nenin 28 (3) të Ligjit, është ambasadori Lars Gunnar – Wigermark”, kanë thënë nga Specialja për gazetën Nacionale.

Pra, edhe për 4 vitet e ardhshme, Prokuroria e Hagës do ta ketë prokuror kryesor, amerikanin Jack Smith. Ky i fundit ishte emëruar më 7 maj 2018, pas largimit të prokurorit të athershëm, David Schwendiman.

Megjithatë, për këtë zhvillim të rëndësishëm në Speciale, deri më tash nuk kishte asnjë njoftim zyrtar e të veçantë në faqen e Gjykatës Speciale.

Problemet e Prokurorisë së Specializuar

Jack Smith është bërë Prokurori i parë i Specializuar që ka marrë mandatin e dytë në Gjykatën Speciale. Kjo pasi, prokurori i parë që ishte emëruar, David Schwendiman kishte dhënë dorëheqje 2 vjet pasi u emërua.

Pavarësisht se do të jetë edhe për 4 vjet Kryeprokuror, Jack Smith në mandatin e parë nuk kaloi pa probleme. Dokumente sekrete rrodhën nga ZPS-ja, për tu sjellur nga zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës. Për këtë, u dënuan Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, por ende nuk ka aktakuzë se si dolën dokumentet.

Mbrojtja e krerëve të UÇK-së e ka akuzuar Prokurorinë e Hagës se nuk ka zbuluar provat shfajësuese, dhe po e vonon gjykimin.

Kush është Jack Smith?

Smith më parë ishte zëvendëskryetar dhe shef i seksionit të padive në Korporatën Spitalore të SHBA-së, organizata më e madhe joqeveritare e shërbimit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara, post të cilin e mbante që prej shtatorit 2017.

Nga shkurti i vitit 2015 deri në gusht 2017 z. Smith ishte ndihmësprokuror i parë federal dhe ushtrues i detyrës së prokurorit federal për rajonin e mesëm në shtetin Tenësi (Tennessee).

Gjatë periudhës 2010-2015, Smith ishte kreu i seksionit për integritet publik në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së, ku ishte i ngarkuar me mbikëqyrjen e procedimit të çështjeve të ndërlikuara të korrupsionit publik në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Nga viti 2008 deri më 2010 z. Smith ishte koordinator i hetimeve në Zyrën e Prokurorit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN). Në atë funksion ai mbikëqyri hetime delikate të zyrtarëve të qeverive dhe pjesëtarëve të forcave milicore të huaja për krime lufte, krime kundër njerëzimit, dhe gjenocid.

Përpara se të merrte detyrën në GJPN, Smith punoi në Zyrën e Prokurorit Federal për Rajonin Lindor të Nju Jorkut, ku gjatë nëntë viteve shërbeu në poste të ndryshme, si kreu i zyrës për paditë penale dhe zëvendësshef i Seksionit Penal. Si kreu i zyrës për padi penale, Smith kishte në vartësi rreth 100 prokurorë penalë në një sërë fushash, ndër të cilat korrupsioni publik, terrorizmi, krimet e dhunshme dhe bandat, mashtrimet financiare dhe krime të natyrës ekonomike.

Largimet e prokurorëve në të kaluarën

Për dallim nga Jack Smith, pozitën që ai e mban aktualisht e kishte David Schwendiman. Ky i fundit dha dorëheqje në vitin 2018, duke e arsyetuar me faktin se ligjet amerikane nuk ia mundësojnë që të vazhdojë e ta mbajë këtë pozitë.

Dorëheqje nga Prokuroria e Hagës, kishte dhënë edhe zv/prokurori i specializuar dikur, Këai Hong Ip.

Kurse, prokurori i fundit që ka dhënë dorëheqje dhe është larguar nga Speciala, është David Harpbach. Ky i fundit karrierën e ka vazhduar në një zyrë avokatie në Amerikë.

Tendencë për t’u larguar kishte edhe Alex Whiting, shef i hetimeve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Sidoqoftë, Whiting nuk arriti të përzgjedhet si zv/prokuror në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, duke mbetur si prokuror në Gjykatën Speciale të Hagës.

Lajme të ngjashme