Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë: Specialja po bën punë të keqe, dyshoj se ka ndikime politike

4 ditë më parë

nga NACIONALE

Robert Bosch deri në vitin 2015 kur u themelua edhe zyrtarisht Gjykata Speciale, mbante rolin e ambasadorit të Holandës në Kosovë. Kur po bëhen shtatë vjet që nuk është përfaqësues diplomatik, Bosch po thotë se deri më tash, Dhomat e Specializuara kanë bërë punë “jashtëzakonisht të keqe”.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, Bosch ka thënë se “ka përshtypje që në Speciale, ka edhe ndikime politike, por që nuk mund ta shtjellojë më shumë”. I pyetur se cili është roli i institucioneve të Kosovës, ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, thekson se Kosova është komplet e përjashtuar nga proceset në Hagë.

Bosch ka folur edhe për hezitimet e Holandës për liberalizimin e vizave e dialogun Kosovë-Serbi.

INTERVISTA:

Nacionale:

Zotëri Bosch, ka disa vite që nuk e keni rolin e ambasadorit në Kosovë. Çfarë po bëni dhe si po e kaloni kohën?

Robert Bosch:

Gjatë javës së kaluar shkova në Tiranë për t’u takuar me miqtë dhe për ta shikuar ndeshjen Roma-Feynoord, të cilën e humbëm pa meritë. Gjithmonë më vjen keq kur ekipi më i mirë nuk fiton, por shpesh e tillë është jeta.

Nacionale:

Keni qenë ambasador i Holandës ku tani vepron Gjykata Speciale. Një pyetje më të pëgjithshme: si e vlerësoni punën e deritashme të kësaj gjykate?

Robert Bosch:

Do të thosha se gjykata, deri më tani, ka bërë punë jashtëzakonisht të keqe. E ngadalshme, pa transparencë dhe me vendime të çuditshme. (Vendimi) i fundit për stafin e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së ishte madje mizor. Ata duhet ta ndjekin penalisht personin që i ka lëshuar dosjet atje.

Nacionale:

Kam lexuar më herët se keni thënë që Gjykata Speciale nuk do të duhej të ekzistonte. A mendoni akoma kështu dhe pse?

Robert Bosch:

Shkeljet në të ashtuquajturin raport i Marty-t ishin në lidhje me trafikimin e mundshëm të organeve, por Clint Williamson-i konkludoi se kjo nuk ka ndodhur, ata do të duhej që t’i kishin transferuar krimet e tjera në gjykatat në Kosovë.

Nacionale:

A keni vërejtur ndonjë ndikim politik në punën e Gjykatës Speciale?

Robert Bosch:

Kam përshtypjen se po, por nuk mund ta shtjelloj.

Nacionale:

Si e keni parë rolin e institucioneve të Kosovës në proceset që po zhvillohen në Gjykatën Speciale?

Robert Bosch:

Kjo supozohej të ishte një Gjykatë e Kosovës, por çuditërisht institucionet e Kosovës janë të përjashtuara.

Nacionale:

Dikush thotë se në Gjykatën Speciale po gjykohet UÇK-ja, e dikush po thotë se atje po gjykohen individët. Sipas jush, kush po gjykohet në Hagë?

Robert Bosch:

Si duket, UÇK-ja si organizatë është në gjurmë, por nuk ka ende ndonjë përfundim që të mund ta themi. Edhe gjatë luftës, ne kemi bashkëpunuar ngushtë me UÇK-në. Me këmbë në tokë.

Nacionale:

Do të doja t’ju pyes pak për dialogun Kosovë-Serbi. Si i keni parë zhvillimet e fundit rreth këtij procesi?

Robert Bosch:

Meqenëse Kosova është në presion kaq të madh, dialogu duhet të vazhdojë, por mund të ketë imazh më të mirë. Asociacioni duhet të krijohet menjëherë në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe nëse Serbia është e pakënaqur, atëherë problemi është te ata. Dhe, duhet të theksoni më shumë të gjitha pikat që Serbia nuk i ka zbatuar kurrë.

Nacionale:

Pyetja e fundit. Holanda konsiderohet nga vendet më skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovën. Pse mendoni që ka kaq shumë dilema?

Robert Bosch:

Duket se është frika që kosovarët do ta keqpëdorin liberalizimin e vizave. Unë nuk jam dakord me këtë pikëpamje. Ajo bazohet në thashetheme dhe jo në fakte.

Lajme të ngjashme