8 vjet nga vrasja misterioze e Elvis Pistës, si dështoi drejtësia ta gjejë autorin e krimit?

2 javë më parë

nga NACIONALE

Mesnata e 15 qershorit ishte e kobshme për Elvis Pistën nga Rahoveci. Ai u godit me armë zjarri në afërsi të një restoranti, dorasi i cili kurrë nuk u kap nga institucionet.

Kur kanë kaluar 8 vjet nga kjo vrasje, pavarësisht se Prokuroria ka zhvilluar hetime, asnjëherë nuk pati një pistë të saktë se kush mund të ketë qenë dorasi i Elvis Pistës.

Pista që ishte kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2014 nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Elvis Pista ishte i njohur edhe në botën e biznesit, e shiTblerjen e makinave, kurse kishte punuar edhe në Post Telekomin e Kosovës. Mbi këtë bazë, institucionet e drejtësisë janë arsyetuar se veprimtaria e tij, e ka ndërlikuar edhe më shumë hetimin konkret të vrasjes.

Kryeprokurori i Prokurorisë në Gjakovë, Ramiz Buzhala, ka thënë për gazetën Nacionale se e ka pasur prioritet trajtimin e kësaj lënde. Por, rrugës dolën probleme.

Lënda ishte trajtuar deri vonë nga prokurori Ali Uka, i cili në muajin mars kishte dalur në pension.

“Në prioritetet që i kemi pas në Këshill kur kam aplikuar për Kryeprokuror, e kam pasur prioritet edhe këtë lëndë për ta zbardhur. Këtë lëndë e ka pasur Ali Uka, ai është pensionuar në muajin mars edhe tash janë bart prokurorëve të tjerë”, ka thënë Buzhala fillimisht për Nacionalen.

Sipas Kryeprokurorit të Gjakovës, ka pasur disa autorizime të lëshuara, por pistë konkrete për hetim jo.

“Keni qëlluar në kohën që veç ato informata që janë marrë në kohën e Ali Ukës, se të këtyne të prokurorëve të rinjë nuk është ndërmarrë diçka sepse koha e shkurtër ende. Ai e ka pasur në trajtim, dhe kam pasur kontakte vazhdimisht me të”, ka deklaruar Buzhala më tutje.

“Prokurori që e ka pasur në trajtim e di që ka përsërsitur disa autorizime, por konkrete diçka nuk ka pasur. Në koncept-dokument e kam pasur si prioritet, se do t’i ndërmarrim të gjitha hapat hetimore për zbardhjen e këtij rasti”, ka përfunduar Kryeprokurori Buzhala për gazetën Nacionale.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe me avokatin e familjes Pista, Arianit Kocin, por që i njëjti ka thënë se nuk mund të komentojë për këtë çështje.

Të qasshëm nuk kanë qenë as familja e Elvis Pistës.

Çfarë kishte ndodhur?

Në gjashtë faqe përshkrim Policia e Kosovës kishte shpjeguar mënyrën se si është qëlluar për vdekje ish-kandidati i PDK-së për deputet, Elvis Pista. Aso kohe, ishte ndërtuar një kallëzim penal, për të cilin kishte raportuar Kallxo.com

Pista dhe miq të tij pasi kishin përfunduar ndejën në motelin “Jaha Petrol” kishin dalë nga aty për të vazhduar për në shtëpi. Siç përshkruhet nga njëri nga dëshmitarët okularë pas daljes në oborr ishin dëgjuar disa krisma të cilat sipas dëshmitarit ishte menduar se ishin fishekzjarr.“Çka u ba?”, kishte pyetur Pista, i cili pas këtyre krismave ishte alivanosur.

Siç shkruhej në kallëzim penal, miqtë e Pistës kishin menduar se atij i kishte rënë të fikët.Për sulmin dhe plagosjen miqtë kishin kuptuar vetëm kur Elvisi kishte hipur në autoambulancë, ku kishin vërejtur shenja gjaku në shpinën e tij.

Raporti i Policisë, i cili në qershor kishte konstatuar se për dy vite me radhë Policia nuk kishte arritur të identifikonte kryesin e mundshëm të aktit, përshkruan mënyrën se si ishte qëlluar Elvis Pista.

Raportet e Balistikës të cilat gjenden në dosje kanë konstatuar se Pista ishte qëlluar nga 7 metra largësi me një pistoletë të kalibrit 7.65 mm.

I njëjti raport shpjegon se Policia kishte intervistuar 94 dëshmitarë të këtij rasti e po ashtu kishte vënë nën masa të përgjimit 33 persona dhe 56 numra telefoni.Rezultatet e intervistave dhe përgjimeve nuk kanë rezultuar me zbulimin e kryesit të mundshëm të aktit.

Në profilizimin të cilin Policia ia bën Pistës ai përshkruhet si një person i kamur, i përfshirë në disa biznese, përfshirë shitblerjen e makinave.

Kallëzimi penal shpjegonte se njëri nga personat të cilët i kishin borxh Elvis Pistës ishte marrë me fajde.Siç shkruhet në kallëzim penal ky person ishte dënuar nga Gjykata e Gjakovës.

Ish-zyrtari i PTK-së dhe kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Elvis Pista, vdiq në spitalin e Rahovecit në orët e para të datës 15 qershor të vitit 2014.

Kush ishte Elvis Pista?

Shkollën fillore dhe të mesme e kishte kryer në Rahovec. Pas përfundimit të gjimnazit ka studiuar për ekonomi në Universitetin e Prishtinës dhe më pas në juridik po në këtë universitet. Magjistri në degën e juridikut në Selanik. Punoi fillimisht në Norëegian Refugee Council më pas në Procredit Bank dhe në Postë Telekomin e Kosovës.

Në Partinë Demokratike të Kosovës ka hyrë në vitin 2007. ndërsa në strukturat udhëheqëse që nga viti 2012.

Sipas rezultateve në zgjedhjet parlamentare ku kishte kandiduar për deputetë, Elvis Pista kishte marrë mbi 8 mijë vota.

Pas vrasjes së Elvis Pistës, kandidate për deputete kishte qenë edhe Beatrisa Pista, motra e Elvisit.

Lajme të ngjashme