Meja e 376 të vrarëve: Familjarët mblidhen te varret dhe luajnë në mendje kujtimet - NACIONALE

Meja e 376 të vrarëve: Familjarët mblidhen te varret dhe luajnë në mendje kujtimet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Me kalimin e viteve po bëhet gjithnjë e më e vështirë të rroken mirëfilli nga mendjet tona ato që kishin ngjarë në vendbanimet tona më 1999. Por, edhe pse kujtimet tona për luftën zbehen e zbehen, vuajtjet e familjarëve të të vrarëve rriten e rriten. Nacionalja ishte në Mejë, në mënyrë që të përforconte rezistencën kundër harresës.

Shumë e shumë vetura të mbushura me njerëz kishin marrë rrugë mëngjesin e sotëm për në një fshat që e vizitojnë përvitshëm çdo 27 prill. Udhëtimi i tyre nëpër asfaltet e Gjakovës nuk bëhej i vështirë nga ndonjë peripeci e jashtme, por nga kujtimet që luheshin brenda mendjeve të tyre.

Dikush ishte me një grumbull lulesh në dorë, e disa tjerë thjesht kishin mbledhur duart. Sidoqoftë, secilit fytyra i reflektonte mërzi derisa ecnin drejt varrezave të njerëzve të tyre të dashur në Mejë të Gjakovës.

Para 23 vitesh, 376 burra të rinj e të moshuar ishin ndarë nga gratë e tyre prej forcave serbe me qëllim që të vriteshin në mënyrën më barbare.

Tradita që familjarët të mblidheshin në varret e të vrarëve dhe të qëndrojnë pranë tyre me orë të tëra ka vite që praktikohet. Por, jo të gjithë i kanë eshtrat e atyre që i kanë humbur në varr. Kjo pasi që për shumë prej tyre nuk dihet se ku janë.

Qytetarja Xhevahire Pajaziti, të cilës ia kishin vrarë djalin 15 vjeçar, për vite me radhë nuk kishte ditur për ehstrat e djalit të saj.

Ajo për Nacionalen ka rrëfyer momente të masakrës së kësaj date.

‘’Djalin e kam të vrarë. Kjo ditë kurrë nuk harrohet, kur vjen kjo datë na rikthen hala ma shumë dhimbjen e tmerrin që e kemi pa me sy.

Nuk e kemi ditë në fillim që në mesin e të vrarëve është edhe djali jonë. Tri vjet nuk e kemi ditë ku e kemi djalin, nuk kemi ditë kurgja për fatin e tij.

E tek mas 3 vjete e kemi mësu që na kanë çu në varrezat në Serbi në Batajnicë.

Është dhimbje e madhe, na kanë lanë tan jetën me mërzi”, u shpreh ajo.

Te çdo varr, të grumbulluar ishin 5 a 6 familjarë, apo edhe më shumë. Te çdo familje, dhimbja ishte e madhe, por dikush mundohej të mos e shfaqte që mos t’i mërzite fëmijët e tyre, e disa të tjerë bashkë me fëmijë qanin.

Si kjo e fundit ishte një e moshuar 95 vjeçare, së cilës në këtë masakër ia vranë 5 nipa, dajën e një axhë.

Cufë Zenuni tregon për Nacionalen se asnjëherë nuk ka përjetuar dhimbje më të madhe.

“Valla bre hallë shumë të vramë kam, qaq shumë sa kurrë prej asaj dite gëzim s’kam përjetu ma. Shpirti jem ma mirë s'ka mujtë me ni. Traumë e madhe, dhimtë e madhe. Na kanë shkatërru Serbia, e na kanë prishë edhe jetën. Në rini na kanë vra njerëzit e pafajshëm, t’mirë e trima”, thotë 95-vjeçarja.

Kërkesa e 6 familjeve që ende nuk dinë për trupat e fëmijëve të tyre ishte e njëjtë: ‘’Ishalla bahet najsen, e dimë për fatin e tyne, që bile kaniherë me hjekë merzi përmi varret e tyne’.’

Përveç kësaj, sot e asaj dite asnjë nga serbët që e kanë kryer këtë masakër, nuk është dënuar për këto vrasje makabre.

Masakra e Mejës njihet si masakra më e madhe në Kosovë, e kryer nga forcat serbe me 27 prill të vitit 1999.

Në një operacion të zhvilluar, u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, duke i ekzekutuar të gjithë djemtë dhe burrat, shtëpi për shtëpi, nga mosha 15 deri 60 vjeçare.

Lajme të ngjashme