Sërish dënohet me burgim të përjetshëm Naser Pajazitaj, familja e Donjetës shprehet e kënaqur - NACIONALE

Sërish dënohet me burgim të përjetshëm Naser Pajazitaj, familja e Donjetës shprehet e kënaqur

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjykata Themelore në Ferizaj, me kryetar të trupit gjykues Ibrahim Idrizi, ka shqiptuar dënimin më të rëndë, që përmban kodi penal i Republikës së Kosovës: Burgim i përjetshëm për Naser Pajazitajn, i cili u gjet fajtor për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Vëllai i Donjetës, Shkëlqimi i cili ka ndjekur secilën seancë të kësaj sage të gjatë, e që ka qenë i zëshëm në kërkimin e drejtësisë për motrën, për Nacionalen ka thënë se është i kënaqur më këtë vendim të gjykatës së Ferizajt.

Jemi të kënaqur me këtë vendim, është vendim i drejtë. Shpresojmë që nuk do të kthehet më në rigjykim. Nuk ka mbet diçka pa u prezentu, ose pa u pyte. Nëse e kthejnë në rigjykim, veç kanë mu përsëritë të njejtat gjana. Shpresoj shumë edhe apeli me pasë këtë bindje.” u shpreh Pajazitaj.

Ndërsa, Naser Pajazitaj, i dënuari me burgim të përjetshëm u gjet fajtor se më datën 9 nëntor të vitit 2015 në bjeshkët e Strellcit, Komuna e Deçanit, Pajazitaj me dashje, me një revole të tipit të panjohur, në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj.

Kur policia i zbarkoi tek shtëpia e tij, në mars të 2017-ës, Pajazitajt iu gjetën edhe një pushkë gjuetie me 12 fishekë pushke dhe një armë AK-47 (kallashnikov) me 2 karikator të zbrazët. Dy elemente të tjera: i dënuari dhe viktima, vijnë nga i njejti fshat, Pajazitaj ishte i dënuar për vrasje edhe para këtij rasti.

Saga e gjatë e tronditëse e këtij rasti

Gjykata Themelore në Pejë ishte e para që mori vendim në këtë çështje.

Në mars të vitit 2018, kur kishin kaluar 3 vite nga vrasja e Donjetës, themelorja e Pejës, e liroi nga akuzat për vrasje Naser Pajazitajn dhe atë në mungesë të provave.

Pas këtij vendimi, prokuroria e shfrytëzoi të drejtën e ankesës në shkallën e dytë.

Gjykata e Apelit e pranoi ankesën e prokurorisë dhe rastin e ktheu në rigjykim.

Rasti iu kthye gjykatës së Pejës përsëri. E njejta gjykatë 1 vit më vonë se vendimi i parë, tash në mars të 2019-ës, e gjeti fajtor Naser Pajazitajn, duke e dënuar me burgim të përjetshëm.

Pra, nuk është hera e parë që Pajazitaj dënohet me burgim të përjetshëm, për të njejtin rast.
Ky vendim i 2019-ës, u vertetua edhe në Gjykatën e Apelit në korrik të të njejtit vit.

Por, vetëm 4 muaj më pas, në nëntor të 2019-ës, instanca më e lartë gjyqësore në Kosovë, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet; edhe atë të Gjykatës Themelore në Pejë, që dënonte Pajazitajn me burgim të përjetshëm edhe atë të Apelit që e vërtetonte një dënim të tillë.

Kështu Supremja e ktheu lëndën përsëri në rigjykim. Përsëri nga e para. Kësaj here Gjykata Themelore në Pejë nuk do të merrte “mundin” për ta gjykuar këtë çështje, pasi e njejta u përjashtua nga rasti.

Lënda ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në mënyrë që të reduktohen dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë dhe për të rritur besueshmërinë për një gjykim objektiv.

Kujtojmë se edhe gjatë gjykimit nga gjykata e Ferizajt, e cila përfundoi sot, pati disa herë zvarritje e vonesa.

Madje avokati i tashmë të dënuarit pati bërë kërkesë që gjykimi të mos mbahet në themeloren e Ferizajt, por i njejti të kalojë në një gjykatë tjetër.

15 ditë është koha kur palët mund të dorëzojnë ankesë në Gjykatën e Apelit, pas marrjes së këtij Aktgjykimi.

Lajme të ngjashme