'Fantazma' e Dardan Molliqajt në Gjykatë, dhe tifozi i flaktë i Haki A***** - NACIONALE

'Fantazma' e Dardan Molliqajt në Gjykatë, dhe tifozi i flaktë i Haki A*****

1 vit më parë

nga NACIONALE

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki A****, brenda objekteve të Pallatit të Drejtësisë pritej ta takonte një person që nuk e ka fort në qejf. Herën e fundit kur u takuan, u përleshën fizikisht pas një debati televiziv! Bëhet fjalë për kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqajn.

A**** (gazeta ka vendosur t’i referohet Haki A***** në këtë formë, pasi i njëjti nuk ka pranuar të përgjigjet në pyetjet e Nacionales) për çudi të tij, në hollet e pallatit, nuk po e priste dikush që potencialisht do ta shikonte shtrembër, përkundrazi.

I ulur pranë sallës ku pritej të mbahej gjykimi, qëlloi të ishte fansi më i madh i deputetit A****.

Kur brenda objektit arritën i dëmtuari A****, së bashku me avokaten e tij diku para orës 13:15, në koridorin e sallës po i priste një tifoz i zjarrtë.

Porsa e pa deputetin, burri i rreth të 60-ave, nga Ferizaj, Hasan Mani, u çua në këmbë e ia zgjati dorën me plot respekt.

“Të simpatizoj! Je njeri ma i mençur në Kosovë. Mos lësho pe”, i thoshte Mani deputetit të Vetëvendosjes.

Teksa fliste për A***** dhe madhështinë e figurës së tij, ngadalë-ngadalë filloi të fokusohej në “muhabet” me avokaten. Arsye për këtë ishte fakti se Haki Abazi nuk ia ktheu asnjë fjalë të vetme. Ashtu siç nuk iu përgjigj Nacionales në konferencën e së dielës në Ferizaj.

Mani që kishte ardhur nga Ferizaj për ta parë nga afër idhullin e tij, u interesua pak edhe për procesin gjyqësor.

“Pse s’po vjen Dardani?, A vjen?, Nëse nuk vjen, çka ndodh?”, e pyeste avokaten me plot interesim, Hasani. Kurse deputeti A****, përveç disa nënqeshjeve, nuk lëshoi zë.

Gazeta Nacionale e zhvilloi një intervistë të shkrutër me fansin e deputetit A****.

“Hasan Mani e kom emrin, jom prej Ferizajt. Kom ardhë sot, ekstra për gjykim me e përkrahë. Jom biolog, por tash kam dalë në pension. E kam dashtë Rugovën, u kanë njeri i meçum. Tash e simpatizoj Vetëvendosjen, Haki A**** osht’ ma i mençuri në Kosovë”, i tha Hasan Mani gazetës Nacionale.

Molliqaj është “zhdukur”, shtyhet seanca

Pas gjithë këtij spektakli, koha erdhi që Abazi të futej në gjykatore. Molliqaj, i cili akuzohet se e ka sulmuar A*****, nuk u paraqit fare në seancë. Aty nuk erdhi as shoku i Molliqajt, Fatos Sahiti, i cili akuzohet se bashkëpunoi në kryerjen e veprës penale “Sulmi” të paraparë në nenin 184 të Kodit Penal.

Gjyqtarja e çështjes, Vlora Pacolli, me të filluar seanca konstatoi se dy të dyshuarit e lartcekur mungojnë.

Ajo tregoi se Gjykata ka tentuar t’i dërgojë ftesë Moliqajt, por e njëjta i është kthyer për plotësim me arsyetimin se “adresa është e pamjaftueshme”. Pas kësaj, Gjykata i ka lëshuar urdhëresë policisë, që ta verifikojë adresën e Molliqajt.

Por më 24 maj të këtij viti, gjykata ka pranuar një raport zyrtar nga policia e Kosovës, me konstatim se dorëzimi i ftesës ka qenë i pamundur, për arsye se “trokitjeve në dyert e Molliqajt nuk iu përgjigj askush”.

Policia në sqarimin që i ka dërguar gjykatës, përmend faktin se zyrtarët policorë kanë pyetur fqinjët e Molliqajt për derën e saktë të banesës së tij, por ata i janë përgjigjur se nuk e dinë derën e tij.

Këtë raport të policisë, gjykata e ka vlerësuar të papranueshëm dhe i ka kërkuar policisë prapë që urdhëresa të zbatohet.

Gjyqtarja Pacolli, me aktvendim, i ka kërkuar komandantit të policisë së Rajonit të Prishtinës, të lëshojë urdhërarrest për Molliqajn dhe Sahitin, në mënyrë që të sillen me forcë në gjykatë.

Seanca e radhës për këtë çështje u caktua më datë 15 qershor, në ora 14:00.

Lajme të ngjashme